“Tetori Rozë” bashkon të gjithë për ndërgjegjësim ndaj kancerit të gjirit
Në kuadër të aktiviteteve për Muajin e Ndërgjegjësimit kundër Kancerit të Gjirit, Komuna e Kamenicës përmes Grupit të Grave të Komunës ka organizuar një marsh simbolik, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e parandalimit dhe zbulimit të hershëm të kësaj sëmundjeje.
Këtij marshi iu bashkua Kryetari Kadri Rahimaj së bashku me përfaqësues të institucioneve, gra aktiviste, nxënës dhe qytetarë të shumtë të cilët u nisën nga objekti i Komunës së Kamenicës drejt bulevardit të qytetit.
Të veshura me ngjyrë rozë, si simbol i këtij muaji dhe i solidaritetit për të gjitha gratë që përballen me kancerin e gjirit, në duar mbanin pankartën “Tetori Rozë. Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Zbulimi i hershëm shpëton jetë”.
Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, tha se ky aktivitet është dëshmi e solidaritetit dhe angazhimit të përbashkët për shëndetin e grave.
“Bashkë për gratë, bashkë për ndërgjegjësim. Sot marshuam bashkë me koleget tona, me gratë aktiviste për Tetorin Rozë, e me nxënës që e kanë kuptuar rëndësinë e këtij muaji”, theksoi Kryetari Rahimaj.
Ndërsa kryetarja e Grupit të Grave, Burbuqe Leka, ftoi qytetarët, të rinjtë, organizatat dhe institucionet që të jenë pjesë e aktiviteteve të muajit tetor, duke kontribuar në përhapjen e mesazhit për kujdesin ndaj shëndetit të gruas.
Në shenjë solidariteti, bulevardi i qytetit është stolisur në ngjyrë rozë, duke u kthyer në simbol të mbështetjes për të gjitha gratë. /2LONLINE/
