Tetëmbëdhjetë vjetori i daljes në skenë të UÇPMB-së

Tetëmbëdhjetë vjetori i daljes në skenë të UÇPMB-së

Tetëmbëdhjetë vjetori i daljes në skenë të UÇPMB-së, më 26 janar të vitit 2000 në Dobrosin. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që u zhvillua gjatë viteve 2000-2001, zë një vend të veçantë të historisë së popullit shqiptar.

Ajo radhitet një nga luftërat që është bërë përpjekje për çlirimin e kësaj treve shqiptare që me shekuj padrejtësisht është akoma nën robëri. Kjo luftë e rreshtoi këtë territor dhe popullatë shqiptare përkrah popujve që edhe gjatë shekullit XXI, janë të robëruar dhe bëjnë përpjekje për lirin e tyre.

Shkruan: Valon Jashari

Formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, UÇPMB-së,ishte një akt me rëndësi jetike e historike për popullin shqiptarë në Kosovë Lindore. Ajo, nga njëra anë, krijoi shpresën për liri, dhe për ti dhënë fund zgjedhës së huaj serbe, për të ruajtur tërësinë territoriale dhe etnike shqiptare nga ana tjetër hapi një epokë të re, një epokë përpjekjesh dhe luftërash për tu bashkuar me tokën mëmë të saj me Kosovën-Shqipëri. Këto përpjekje e sakrifica të fund shekullit XX e fillim shekullit XXI ishin me rreziqe të mëdha si nga faktorë të brendshëm ashtu edhe të jashtëm.

Këto treva shqiptare me përpjekjet e tyre të gjallërishme me pushkë e penë, në lëvizjen për çlirim, i vunë gurë në themelet e një rezistence të pamposhtur me gjakun e bijve dhe bijave më të mirë të kësaj treve shqiptare. Akti i formimit të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, UÇPMB-së, sanksionohej e drejta historike e pamohueshme e kësaj treve shqiptare pjesë e kombit shqiptarë që ishte ndarë gjatë rrjedhave historike në mënyrë të padrejtë, dhe për të qenë i bashkuar, i lirë, në trojet e veta krahas popujve tjerë të Gadishullit Ballkanik. Kjo ishte një e drejtë që buronte nga qenia e tij si popull me gjuhën, me kulturën, me individualitetin e me historinë e vetë, e drejta që parashihej edhe me konventat botërore të popujve për të jetuar të lirë.

Edhe pse një varg rrethanash të brendshme dhe të jashtme bënë që kjo popullatë të mos arrij dot objektivin për të cilin sakrifikojë. Natyrisht që kjo luftë çlirimtare krijoi gjithashtu premisa të nevojshme për të mbajtur të gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të kësaj treve më Kosovën. Kjo shprehje e vullnetit popullor edhe pse pas përfundimit të kësaj lufte çlirimtare objektivi kryesor ai i çlirimit nuk u realizua, por, ishte në të njëjtën kohë, kjo përpjekje drejt një etape më të lartë, për arritjen e objektivave politike të kësaj popullate, dhe e përcaktuar nga zhvillimet progresiv i lëvizjes dhe nga rrethanat ndërkombëtare. Kjo luftë u zhvillua mbi baza të reja shoqërore e politike dhe mori karakter të ndërgjegjësimit kombëtarë.

Lufta e UÇPMB-së ishte një hallkë lidhësë e lëvizjes kombëtare që ishte zhvilluar në këtë rajon ndër shekuj, dhe ishte e lidhur organikisht si shprehje e vullnetit popullor. Edhe pse kjo vonesë në përcaktimin e zgjidhjes së fatit të Kosovës Lindore, që u shkaktua nga faktorë ekonomikë, shoqërorë e politikë, të brendshëm e të jashtëm, që vepronin dhe përcaktuan ritmet e zhvillimit të saj.

Lufta në Kosovë Lindore u provokua nga shteti serb me idetë hegjemoniste dhe barbare ndaj popullatës shqiptare autoktone, në rrethanat që u krijuan lindi nga gjiri i popullit Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, UÇPMB-ja, duke u ngritur në luftë kundër agresorit serb që rrezikonte qytetërimin shqiptarë në këtë rajon dhe ekzistencën e tij.

Në këto rrethana politike të fund shekullit XX, angazhimi i shqiptarëve në luftë kundër robërisë serbe, ka pasur rëndësi shumë të madhe për këtë pjesë shqiptare, për faktorizimin e çështjes shqiptare të këtyre komunave me shumicë shqiptare. Lufta solli edhe ndryshime shoqërore në jetën e vendit, si pozitive dhe negative. Ato negative ishin se u shpërngul një pjesë e konsiderueshme e popullatës shqiptare dhe kurrë më deri më sot nuk u kthyen nëpër shtëpi e tyre dhe asnjë institucion vendor dhe ndërkombëtarë nuk bënë përpjekje minimale për mundësin e kthimit së tyre në vendlindjen e tyre. Ana pozitive ishte se ndryshoi mentalitetin dhe botëkuptimet njerëzore se pa liri, vendlindja është vetëm një pronë çifligare që tjetër kush e shfrytëzon për nevoja të veta, dhe se jeta nën robëri është një errësirë.

Pjesëmarrësit në luftë i thyen të gjithë kufijtë shoqërorë, krahinorë, fetarë, gjinorë dhe pasurorë etj, dhe u bashkuan rreth një çështje të përbashkët rreth asaj kombëtare, pavarësisht në disa moment e rrethanë që ekzistonin ato. Pjesëmarrja e gruas shqiptare edhe pse nuk ishte vetëm gjatë kësaj lufte që u shqua heroizmi dhe shëmbëlltyra e gruas shqiptare, por në vazhdimësi të rrjedhave dhe ngjarjeve historike që e shoqëruan historinë popullit shqiptar, dëshmoi edhe njëherë emancipimi i gruas shqiptare për çështjen kombëtare.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit u organizua dhe u udhëhoq nga shtresat me të shtypura të asaj shoqërie shqiptare, pa përjashtuar çdo shtresë shoqërore që dha kontributin e merituar në fusha të caktuara, por problem që duhej zgjidhur dhe nga karakteri çlirimtar i saj, më në fund nuk u arrit objektivi, që synonte çlirimin e vendit dhe ribashkimin e këtij territori me Kosovën.

Por, në faza të ndryshme të kësaj lufte që kishte divergjencash të mëdha brenda strukturave të kësaj lufte, megjithatë ato gjithsesi nuk arritën të ndryshojnë karakterin e luftës çlirimtare, dhe ky objektiv mbeti i pandryshuar deri në fund të luftës, orietimi bazë i luftës, objektivi dhe qëllimi kryesor i saj, luftë kundër pushtuesit serb, dhe çlirimin dhe bashkimin e saj me Kosovën.

Në këtë luftë populli shqiptar bëri sakrifica mbi mundësitë dhe fuqitë që kishte, por ato ia vlenin të bëheshin për një çështje madhore që i mohohej liria. Kontributi dhe sakrificat e popullit shqiptar në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, janë çmuar edhe nga një pjesë e botës demokratike.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE