Testi i Maturës – Kur stresi shndërrohet në traumë!
Shkruan: Murat Mustafa
Pse, Gjilani ishte në shënjestër? Për këtë nuk po flas mbi thashetheme. Informacionet i kam marrë nga persona brenda institucioneve arsimore dhe nga njerëz që janë të informuar për zhvillimet në nivel qendror.
Pse Gjilani dhe jo komunat e tjera? Pse ky presion ndaj nxënësve të Komunës së Gjilanit?
Pse gjithë kjo torturë që iu paskan bërë disa “plofesol” nxënësve?
Masat e kontrollit, në disa raste, kanë kaluar kufijtë e normales.
Sipas informacioneve që kam marrë, një administrues e ka shoqëruar një nxënës deri në tualet, ndërsa në një rast tjetër një nxënësi nuk i është lejuar fare të shkojë në tualet, edhe pse e ka kërkuar këtë gjatë testimit.
Një nevojë elementare nuk duhet të trajtohet si tentativë për mashtrim. Nxënësit nuk janë të burgosur, por të rinj që po i nënshtrohen një provimi vendimtar për të ardhmen e tyre.
Përveç stresit të zakonshëm që sjell një test i tillë, ka raste kur nxënësve u janë shkaktuar edhe pasoja psikologjike. Në Qendrën nr. 5, në një nga klasat, një nxënëse ka qarë pothuajse gjatë gjithë kohës së testimit.
Në një atmosferë të tillë është e natyrshme që edhe nxënësit e tjerë ta kenë pasur të pamundur përqendrimin, sidomos kur çdo pak minuta hynin persona për kontrolle dhe përpiqeshin ta qetësonin situatën.
Edhe më shqetësues është fakti se nuk janë zbatuar standarde të njëjta. Sipas dëshmive të shumë nxënësve, në disa klasa ka pasur tolerim dhe kontroll shumë më të lehtë, ndërsa në të tjera është ushtruar presion i vazhdueshëm, deri në mohimin e nevojave më elementare.
Kjo nuk është barazi dhe nuk është meritokraci. Kur një nxënës trajtohet me mirëkuptim, ndërsa një tjetri nuk i lejohet as të shkojë në tualet, nuk mund të flasim për një proces të drejtë vlerësimi.
Të gjithë ata(plofesola), që kanë pasur përgjegjësi gjatë këtij procesi duhej të silleshin si edukatorë dhe mbështetës të nxënësve, e jo vetëm si zbatues të verbër të rregullave. Humanizmi, respekti dhe dinjiteti i secilit maturant nuk duhet të humbin në emër të disiplinës.
Ka ardhur koha që institucionet përgjegjëse të analizojnë seriozisht mënyrën e organizimit të Testit të Maturës, të hetojnë çdo ankesë dhe të sigurojnë standarde të njëjta për çdo nxënës, në çdo qendër dhe në çdo klasë.
Vetëm atëherë mund të flasim për një test të drejtë, transparent dhe të bazuar në meritë, e jo për një proces që për disa nxënës kthehet nga stres në traumë. /2LONLINE/
