/2L ONLINE/ – Se Gjilani është qyteti i sportit, me theks të veçantë i futbollit, tregon fakti i përkushtimit të klubeve sportive, por edhe i shkollave të futbollit, të shumta, për t’u marrë me të rinjtë, me të gjitha grupmoshat. Njëra ndër shkollat e futbollit që në Gjilan vepron që nga 2014, është edhe shkolla e futbolli G.S Gjilan, nën drejtimin e trajnerit Halil Halili dhe zëvendësit të tij Egzon Halili, e ku gravitojnë më se 60 të rinj të moshave, 7 vjeç deri në 14 vjeç.
Shpend Terziu, anëtari i kryesisë, thotë se Shkolla në fjalë, i ka krijuar ekipet e grupmoshave përkatëse, por se ka edhe talentë të tillë, që janë bërë pjesë aktive e klubeve ekzistuese që bëjnë gara nëpër liga rajonale, siç është rasti me disa lojtarë të grupmoshave të ndryshme që luajnë për ekipin Besëlidhja – Prishtinë.
Përndryshe, të rinjtë gjilanas që janë pjesë e kësaj shkolle stërviten tri herë në javë, në fusha të hapura dhe të mbyllura. Po ashtu shkolla organizon edhe kampingje, takime të rregullta me psikolog dhe lojëra mes tyre, si dhe ato miqësore me nxënës të shkollave tjera, thotë Terziu. Ai tha se kanë kontakte edhe me shkolla tjera si në Kosovë po ashtu edhe jashtë Kosove, me të cilët mbajnë kontakte, shkëmbejnë përvoja dhe çkado tjetre që mund t’iu shërbejnë këtyre të rinjve. Në veçanti, Terziu përmendi bashkëpunimin me një shkollë futbolli nga Italia me Giuseppe Pastorelli, përgjegjës i kësaj sholle. Po ashtu kemi kontakte edhe me agjentë të futbollit që kohë pas kohe e vizitojë këtë shkollë.
Edhe anëtari tjetër i kryesisë Naim Biçku, që edhe djali i tij ndjek këtë shkollë shprehet se është i kënaqur me punën që bëhet me këta të rinjtë dhe se e vlerëson angazhimin e secilit që bënë që angazhimi për këta fëmijë të kësaj shkolle të mos mungojë. Përndryshe, Biçku thotë se janë duke u përpjekur që për këta të rinjtë të krijohen kushte sa më të mira që të zhvillohen dhe të kenë një karrierë në sportin e më popullarizuar siç është futbolli, por se natyrisht na nevojitet ndihma e secilit. /2L ONLINE/