Tërnava ua uron besimtarëve Fitër-Bajramin, kërkon nga ata t’i respektojnë masat kundër Covid-it

Tërnava ua uron besimtarëve Fitër-Bajramin, kërkon nga ata t’i respektojnë masat kundër Covid-it

Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërvana, në prag të festës së Fitër Bajramit, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për këtë festë, duke kërkuar nga ata që gjatë shënimit të kësaj feste, të respektojnë masat kundër Covid-it.

“Ne, nesër kemi festë dhe bashkërisht do të jemi në xhamitë për ta falur namazin e Fitër-Bajramit, por të kemi kujdes se virusi ende është në mesin tonë, andaj për ta ruajtur vetën e shëndetin publik, ne kemi hequr dorë nga ana ceremoniale e manifestimit tradicional të Bajramit. Në xhami do të jemi duke i respektuar protokollet anti-covid dhe për ta falur vetëm namazin e Fitër-Bajramit.

Ju ftoj që të bëni kujdes edhe me vizitat tradicionale të Bajramit, do ta ruajmë karakterin e festës, do të jemi pranë njëri-tjetrit, por do të kemi kujdes për shëndetin publik sepse rreziku nga pandemia nuk ka kaluar”. ka thënë myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.

Urimi i plotë i Myftiut Tërnava

Me emrin e Zotit Mëshiruesit, Mëshirëplotit!

Falënderimi i takon Zotit të botëve, Atë e madhëron çfarë ka në tokë e çfarë ka në qiej, Ai është i Gjithëpushtetshmi, Absoluti.

Salatet e selamet tona ia dërgojmë më të mirit të njerëzisë, Muhamed Mustafasë, familjes së tij të pastër dhe shokëve të tij besnikë.

Të dashur besimtarë,

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Vëllezër e motra!

Sonte është natë e madhe, Nata e Fitër-Bajramit, me iftarin e së cilës besimtarët myslimanë përfundojnë agjërimin e muajit të madhëruar Ramazan dhe bëhen gati për të shënuar festën e Fitër-Bajramit, si një ndër festat më të rëndësishme në kalendarin mysliman.

Agjërimi në islam është ibadet që kryhet në kohë të caktuar e me orar të caktuar, me norma e rregulla të caktuara, të cilin besimtarët e kryejnë vetëm për hir dhe kënaqësi të Krijuesit të Gjithësisë.

Përmes agjërimit, besimtari u afrua te Krijuesi, u bë edhe më i ndjeshëm ndaj familjes, rrethit e shoqërisë, më dorëlirë e solidar, si dhe më human e tolerant me familjen, nevojtarin e shoqërinë.

Muaji Ramazan në vete ka bartur momente e ibadete të veçanta, të cilat na kanë shoqëruar duke na fisnikëruar e urtësuar më nimetet e iftairit, syfyrit, namazit të teravive, pastaj lutjet e duatë si dhe veprat e hajrit që bëhen vetëm për Krijuesin.

Po ashtu, gjatë muajit Ramazan i kemi shtuar ibadetet e adhurimet, si dhe jemi kujdesur për tjetrin. Ishim më shumë pranë me të dashurve tanë, pranë njëri-tjetrit me ndjesinë për të dëgjuar e ndihmuar tjetrin.

Pas një muaji agjërimi, sakrifice e përkushtimi, nesër myslimanët kudo që gjenden festojnë festën e Fitër-Bajramit, të bindur që kanë kryer një nga kushtet që i ka obliguar Zoti i Madhëruar, e për të cilin ka premtuar që Ai do ta shpërblejë me shpërblim të veçantë.

Vëllezër e motra!

Festa e Fitër-Bajramit edhe te ne, si në tërë botën myslimane, është ndër festat më të dashura, më familjare e më popullore, e shtresuar thellë në identitetin e kulturën e popullit tonë.

Festa e Bajramit si asnjë festë tjetër, sjellë gëzim, ngrohtësi e qetësi shpirtërore, për të gjitha kategoritë e shoqërisë pa marrë parasysh moshën, gjininë, statusin social e shoqërorë.

Është festë që ofron prindërit më fëmijët, fëmijët me prindërit, të rinjtë me të moshuarit, të pasurit më të varfrit, festë që e ndien dhe e përjeton e gjithë shoqëria.

Vëllezër e motra

Edhe këtë Ramazan, si edhe Ramazanin e vitit të shkuar, e rrjedhimisht edhe këtë Bajram, po e presim të përballuar me pandeminë Covid-19, e cila ka shkaktuar pasoja të mëdha në të gjitha rrafshet.

Në këtë natë të madhe, e në vigjilje të festës së Fitër-Bajramit kujtojmë me rahmet të gjithë ata që kaluan në Ahiret, duke lutur Krijuesin që t’i marrë në mëshirën e Tij, ndërsa të infektuarit të gjejnë shërim sa më parë.

Ne, nesër kemi festë dhe bashkërisht do të jemi në xhamitë për ta falur namazin e Fitër-Bajramit, por të kemi kujdes se virusi ende është në mesin tonë, andaj për ta ruajtur vetën e shëndetin publik, ne kemi hequr dorë nga ana ceremoniale e manifestimit tradicional të Bajramit. Në xhami do të jemi duke i respektuar protokollet anti-covid dhe për ta falur vetëm namazin e Fitër-Bajramit.

Ju ftoj që të bëni kujdes edhe me vizitat tradicionale të Bajramit, do ta ruajmë karakterin e festës, do të jemi pranë njëri-tjetrit, por do të kemi kujdes për shëndetin publik sepse rreziku nga pandemia nuk ka kaluar.

Vëllezër e motra

Duke lutur Zotin që ta ketë pranuar agjërimin, lutjet, ibadetet e punët tona të mira, kudo që jeni ju përgëzoj e ju uroj të gjithëve Festën e Fitër-Bajramit.

Me hajr e me të mira na qoftë Fitër-Bajrami!

KOMENTE