Opinioni në Serbi është tronditur nga lajmi se zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i jashtëm i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mund të vizitojë Beogradin në fund të prillit.
Vizita e mundshme e Thaçit në kryeqytetin serb vjen pas vizitës zyrtare të homologut të tij, Ivica Daçiq, në Prishtinë në konferencën “Western Balkans’ 6”, ku morën pjesë ministrat e jashtëm dhe të transportit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Mediet dhe qytetarët serbë kanë reaguar ashpër dhe me mosbesim total ndaj këtij lajmi.
Në portalin e mediumit të njohur beogradas, “B92”, tashmë dhjetëra qytetarë serbë kanë dërguar komente (kliko: KËTU) ku kërkojnë arrestimin e ish-liderit politik të UÇK-së, për të cilin shteti serb kishte lëshuar fletëarrest në vitin 1999, transmeton Telegrafi.
“Ja rasti për ta arrestuar atë në bazë të fletëarrestit”, “A është kjo e mundur!? Kjo Qeveri e ka humbur kompasin tërësisht”, “Ja edhe rasti ideal që krimineli i luftës Hashim Thaçi, i njohur si komandant ‘Gjarpri’ të arrestohet dhe të sillet para drejtësisë”, “Ky do të ishte poshtërimi më i madh që mund t’i bëjmë vetes”, “Ky është përfundimisht fundi i Serbisë”, “Nëse kjo është e vërtetë, kam vetëm një pyetje: A jeni ju normal? Dërgojeni edhe në Skadarli për ta shijuar muzikën e gjallë”.
Këto ishim vetëm disa nga reagimet e egra nga opinion serb ndaj vizitës së mundshme të zëvendëskryeministrit Thaçi në Beograd.
Analistët vlerësojnë se kjo vizitë do të mund të ndihmonte dialogun dhe shtensionimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.