/2L ONLINE/ – Drejtuesit e PDK-së në Gjilan, thonë se Gjilanin dita-ditës po e fundosin keq e më keq, një keqqeverisje e LDK-së e cila po dështon në çdo pore të jetës, andaj Gjilani dhe qytetarët e saj meritojnë sa më shpejtë një qeverisje ndryshe. Izmi Zeka, nënkryetar i degës së PDK-së në Gjilan ka thënë se për këto dy vite Gjilanit i kanë munguar investimet duke bërë që Gjilani të rikthehet gradualisht si në kohën para vitit 2007.
“PDK-ja e Gjilani vlerëson se qytetarët e Gjilanit meritojnë një trajtim të dinjitetshëm, ata e duan qytetin e tyre me një qasje më evropiane. Ne si parti, në të gjithë prononcimet tona kemi informuar qytetarët se qasja e partisë në pushtet është qasje klientaliste, qasje e grupeve të interesit, por assesi qasje që ju shërben vlerave demokratike dhe qytetarëve gjilanas”, ka thënë për Portalin 2LONLINE, Izmi Zeka, nënkryetar i PDK-së, Dega në Gjilan.
Zeka ka rikujtuar se PDK-ja, subjekti i tij, sa qeveriste me Gjilanin, përgjatë mandatit të saj kishte treguar si qeverisët për qytetarin, dhe kishte arritur të investojë 100 milion euro, dhe gjurmët e atyre investimeve shihen kudo që shëtisin qytetarët e Gjilanit, ndërkohë që pushteti i tanishëm u ofron atyre vetëm premtime boshe.
“Premtime e mëdha të bëra nga pushteti i tanishëm kanë mbetur nën hijen e investimeve tona duke dëshmuar që ky pushtet di vetëm të ofrojë premtime boshe, premtime mashtruese të cilat po ia vrasin të ardhmen qytetarit gjilanas, por që shumë shpejtë pikërisht nga këta qytetarë do ta marrin përgjigjen e merituar kjo qeverisje e keqe në Gjilan” theksoi Zeka i PDK-së. /2L ONLINE/