Temperatura ekstreme në Francë, deri në 45 gradë

Temperatura ekstreme në Francë, deri në 45 gradë

Rekordet e temperaturave të larta, të cilat zakonisht shënohen në pjesën e dytë të korrikut ose në fillim të gushtit, pritet të thyhen në disa pjesë të Evropës gjatë kësaj jave pasi një valë e pashembullt dhe potencialisht vdekjeprurëse e vapës do ta përfshijë kontinentin, thonë meteorologët.

Ekspertët e motit presin që rekordet e mëparshme të temperaturave të qershorit të arrihen ose të tejkalohen në Austri, Belgjikë, Republikën Çeke, Danimarkë, Francë, Luksemburg, Gjermani, Holandë dhe Zvicër, ndërsa pritet që në disa shtete të thyhen rekordet e të gjitha kohërave.

“Parashikimi më i fundit lë pak hapësirë për dyshime. Jemi duke shkuar drejt një rekordi të ri kombëtar”, tha Guillaume Woznica, meteorolog francez, duke treguar se “Meteo-France” parashikon që temperatura maksimale të shkojë në 45 gradë në qytetet jugore të Miesit dhe Carpentrasit të premten.

Temperatura më e lartë në qershor në të kaluarën në Francë është regjistruar më 21 qershor të vitit 2003, kur në termometër ishte shfaqur shifra 41.5 gradë. Temperatura më e lartë e të gjitha kohërave në Francë është shënuar më 12 gusht të vitit 2003 dhe ishte 44.1 gradë.

KOMENTE