Temë e ndaluar!
Shkruan: Femi HALIMI
(2L ONLINE) – Të flasësh a të shkruash për një temë të ndaluar është e ndaluar. Jo vetëm se ka tema të ndaluara, porse edhe përmendja e temës për këtë temë është e ndaluar. Kush e ndalon?! Edhe kjo është e ndaluar të kërkohet të dihet.
Nuk ka kush që i bën lavd të keqës por të gjithë e bëjnë. Po pastaj të gjithë që bëjnë të keqën fshihen pas së mirës! Kështu bota mbytet në të këqija e padrejtësi, por akuza nuk rëndon askend sepse nuk ka kush të bëj akuzën as kush të dëshmojë dhe kështu keqbërësit marrin lavdet e të dëmtuarit ndiqen.
Ka tema për këtu kështu, të ndaluara, që nuk përmenden. Temat e ndaluara ngjajnë në një rrugë në të cilën nuk ecë kush kurrë. Por! Tema e Ndaluar është nëmes njerëzve. Përreth saj gëlojnë njerëzia, e nëmes të tyre është kjo tema e ndaluar! Me një marrëveshje masone, njerëzit nuk e përmendin. E heqin, e fshijnë, e heshtin.
“Mos e përmend” –është një urdhër mason e bestyt që bën që njerëzit ta tejkalojnë këtë gjithherë kah ndeshin në të. E ndeshja me të është e patjetërsueshme dhe e pashmangshme, sepse është në vetë jetën e njerëzve kah të sillen e pështillen. Nuk kanë faj pastaj vetëm ata që i bëjnë të heshtin, por edhe këta që heshtin; sikur nuk kanë faj ata që nuk e thonë të vërtetën, por ata që u besojnë.
Ka lajme, informata, njoftime, hulumtime, komente, kolumne, editoriale, e deri udhëpërshkrime nëpër botë, -tani edhe nëpër kosmos, -por në temat e ndaluara nuk hyn kush! Ka debate në televizione e radio, në vende publike, në ahengje, e deri edhe në të pame -ngushëllime. Për çudi, -një diçka është e ndaluar, anise nuk është e ndaluar, -as nga pushteti, as nga ndonjë ligj!
Nuk është shkaku i mbrojtjes. Dëgjueshmëria a heshtja për një mirësi a lëmoshë të siguruar mujore nga padronët, apo rrebelimi me një ndëshkim me leçitje e përgojime dhe me rast social të rëndë, fshehin gjurmët e temave të ndaluara.
Le’ –mos e përmend!…
Zakonisht një libër është libër i mirë e i duhur kur përshkruan bukur një ngjarje dhe kur jep udhëzime jete e gëzimi. Libri është jeta dhe drejtësia dhe mësimi për të qenë njerëz dhe me vlerë. Gjërat e këqija që ndodhin libri zakonisht nuk i përmendë sepse nuk kanë vlerë përmendjet e këtilla. Një si hije dhe dëmtim i bije tekstit ku përfshin të vërtetat për krimet e padrejtësitë.
Larg qoftë po të dilte e vërteta për gjëra që nuk dihen e që kanë ndodhë për të keq në jetët njerëzore. E vërteta ka një derë të mbyllur që nuk len të shkohet tutje dhe ky është shkaku pse janë temat e ndaluara.
Nuk mund të tregohen të vërtetat e ngjarjeve tragjike nëmes njerëzve sepse libri këtë nuk mund e bartë. Libri është sikur një prind, e tutje një dajë i dashur, të cilët fëmijët i duan të buzëqeshur gjithmonë dhe të dashur! Kështu i këtillë është libri, me kusht që të rrëfejë vetëm gjëra të bukura e të gëzueshme. Libri mëson dhe për këtë mësimi është jeta vetë.
Autori i një libri thotë se i ka thënë të gjitha dhe këtë e bën me qëllim për ta mbuluar pjesën e padëshirueshme. Gjithë kjo mendohet të jetë për librin, që e njohim. Por libri ka kuptim më të gjërë se libri i tregimeve e novelave jetësore. Libri është i gjithë mësimi në fletë librash e tekstesh dhe ku mësohet gjithë dituria njerëzore.
Tani kemi internetin që është libër i ri ndryshe, por vazhdim i përjetësisë së librit. Me internetin kemi hyrë në erën e re të kosmikës në jetën tonë. Njeriu u bë gjysmë engjull dhe arriti të komunikojë sikur krijesë shpirtërore në dimenzion tjetër. Nga cilado pikë e tokës në cilëndo pikë tjetër dy njerëz a dy a iks grupe mund të komunikojnë me internet dhe kjo tanimë është krejt normale për ne.
Po si ka mundësi që edhe në këtë kohë, të ketë tema të ndaluara dhe si mbijetojnë këto edhe tani me shumë forcë?! Temat e ndaluara jovetëm se janë si dikur, por këto edhe po rriten dhe po zënë hapësirat informative. Duke pretenduar një demokraci të vërtetë dhe liri njerëzore pa kufi, njerëzimi po i afrohet një bashkësie totalitare. Lajmi që kështu bën informatën i nënshtrohet një sistemi total të sundimit të dikujtë që fshihet.
Fshehja e sunduesit të vërtetë dhe tema e ndaluar kanë diçka të përbashkët. Bëjnë një thysë llogarish meditative në këtë kohë dhe bëjnë rreshtime të reja. Sundimi i ri në këtë kohë ka një sistem kohëgjatë të thyerjes së karaktereve dhe përgatitjes për nënshtrim. Duke pretenduar lirinë, personazhet që bëjnë lirinë tani me kohë ngatërrohen nga të mirat e lirisë dhe detyrohen të heshtin për gjëra të caktuara.
Një e mirë që merret ka për kusht një ndalesë për diçka që padroni kërkon nga dëshirat e veta. Ai që e din një të vërtetë të ndaluar, a është dëshmitar, a që ka dituri për të ditur gjëra që janë të rëndësishme për padronët, paguhet me shumë mënyra dhe se për këtë kthesë pagese a mundi ka heshtjen për padronin.
Le’ –mos e përmend!…
Kështu bota tani projektoi veten në një rrafsh trigonometrik të tretë kosmik dhe barti mesazh të ri për pamjen e vet të dimenzionuar ndryshe. Temë e ndaluar kështu tanimë është interesi i padronit që duhet të mbrohet, me kusht që gëzuesit e lirisë dhe të mirave të tij të heshtin. Kjo është kështu sepse fundifundit kjo mbrohet me dhunë.
Nuk mund të jetë lajm tanimë një e vërtetë, qoftë edhe krim, në mes të ditës e në bukë. Lajmtari tani duhet të ketë kujdes për padronët. Perënditë e tyre tanimë janë padronët që u japin nga të mirat e tyre të sistemit që e bëjnë e mbajnë vetë. Lajmtari kështu, prej misionit të nevojshëm mes njerëzve, zbret në botën e errësirës së hijeve. Vendi i punës, paga mujore dhe jeta pa brenga e përhershme shkëmbehen me heshtje dhe seleksionim.
Nuk bëhet më lajm se çka bëjnë padronët, zbatuesit e ligjit e drejtësisë. Lajmtari tanimë ka për detyre të shërbej për padronin. Kështu ishte qasja për sundim total qëpas rënies së Romës, me Kolonatin e Mesjetën e hershme. Inkuizicioni edhe ishte mu për këtë, -për këto temat e ndaluara. Gjatë socializmit ishte gjuetia në njerëz me llahtarinë e ndëshkimeve të tmerrshme dhe cenzura, hetuesia dhe vëzhgimi dhe në fund viktimat e nevojshme që i duheshin pushtetit atëherë për të mbajtë veten dhe për të shkuar tutje. Krejt kjo pastaj thuhej se bëhej për shkak të ligjit dhe lirisë që duhej ruajtur patjetër!…
Tani është risi një diçka që është temë e ndaluar që nuk duhet përmendë. Thjeshtë, “mos e përmend”. As ka organ, as ka ligj, as një dikush që ndalon diçka, por kjo dihet, që do të thotë se duhet të dihet. Kush nuk e din, a nuk heshtë, a nuk don të dijë për këtë, thjeshtë e pëson. Tema e ndaluar tani kështu është.
Ishte vetëcenzura gjatë cenzurës së kohës së socializmit, që tani ka dalë në rend të parë. Mendo mirë për lajmin dhe për informatën, sepse lajmi duhet të jetë i tillë që tu pëlqejë të gjithëve e të mos prekë askend, se përndryshe poqese prekë në ije ndokend, në mbrëmje të vjen ndokush tek dera…
“…-Le’, mos e përmend!…-Dhe shiko, -këto që të them unë duhet ti lexosh, -të tjerat janë të ndaluara, sepse janë të shpikura. –Mos shiko, mos dëgjo, mos lexo këto që ti ndaloj unë. Shiko, dëgjo e lexo këto që ti prefedroj unë.” Mëparë cenzurën e bënte pushteti gjahtar në njerëzit, e tani këtë e bëjnë magët e pushtetit të padukshëm. Por, se është i padukshëm, ky pushtet tani i njerëzve të panjohur të rrugës, -pushtet në pushtet, -është pushteti i vërtetë.
Ky pushtet i rrugës ka shtrirë pushtetin në çdo shtëpi tonën dhe sundon e drejton jetën tonë kundër vullnetit tonë. Udhëzon çka duhet të bëjmë e çka nuk duhet të bëjmë dhe kërkon të shndërrohemi krejtë. Ky pushteti i rrugës ndalon veçoritë kombëtare e njerëzore dhe ndalon gjuhën shqipe. Sipas tyre kush flet shqip dhe përmendë identitetin, mallkohet dhe leqitet. Kështu bëri edhe pushteti mëparë dhe për këtë ky pushtet tani i rrugës ka ngjashmëri me të, anise nuk ka pushtet.
Në kohën tonë ka një gazetari hulumtuese që përkrahet dhe mbrohet nga shtetet dhe kjo sepse hulumtuesit janë shumë të dobishëm, porse edhe rreziqet për këtë për ta janë njësoj fatkeqësi e vërtetë. Me qindra gazetarë, reporterë e lajmëtarë vriten, dergjen nëpër burgje a lihen rrugëve nëpër botë, brenda shteteve a në fronte lufte -krizash, për shkak të profesionit, në përpjekje të të ashtuquajturit “hulumtim -hetim” dhe raportim nga vija e parë!…Ndodhë por që më shumë lajmëtarë e pësojnë nga prapashpina nga të vetët se nga paravija e frontit.
Te ne që nuk ka mbrojtje për hulumtuesit lajmtarë, kjo mënyrë e bërjes së lajmeve mezi hetohet dhe është sa për të thënë. Gazetarët janë të punësuar shumica tek partitë -tek filialat e fuqishme makro të partive gjegjëse dhe lajmi për to nuk ka shansë të ketë dalje. Kjo është kështu sepse tek ne të pasurit janë politikanë, përkundër botës ku të pasurit janë biznesmenë. Kështu për këtë vetë mediumet janë në errësirë dhe në heshtje sepse ka politikanë dhe nuk ka biznesmenë. Desha të them se ka biznesmenë po nuk ka politikanë, -por nuk është kështu.
Nuk ka kush për këtë të thotë të vërtetën sepse thënësi nuk ka mbrojtje dhe as fuqi kurrfare. Por ka edhe më keq. Ka keqpërdorim të fjalës së lirë dhe të së drejtës së lajmeve hulumtuese, që në të vërtetë janë imitues të kësaj mënyre, e me një qëllim të njëjtë siç është heshtja e temave të këtilla. Edhe kjo është heshtje sikur omerta e skamnorëve italianë deri në vrasje nga shefat e rrjetit kur tu vijë radha dhe një mënyrë ndryshe e pranimit të pozitës humbëse dhe pajtimit me fatin, sikur hindusët me karmën, sepse nënshtrimi dhe paqa me sunduesin, qoftë pushtet apo rrugë, nuk don të thotë se siguron jetën e mjerë të varfanjakëve robër.
Le’ –mos e përmend!…
Është këtu kështu një rënie që ka ndodhë këto kohët pas luftës. Në vend të lajmit dhe informatës deridiku të shëndoshë dhe fjalës së lirë, shkoi dhe u zhvillua përshtatja. Kjo erdhi kështu sepse të fuqishmit përveç mbrojtjes së suksesshme të vetes në veprat, këta shkuan edhe tutje, në shantazhimin e njerëzve të drejtë. Pas kaq kohësh në këtë prapësi, tani nuk po dihet kush çka qe dhe kush çka është.
Kemi kështu për këtë njerëz të meritueshëm për këtë lirinë por që janë në rrugë dhe në varfëri ekstreme. Kemi njerëz tanë që luftojnë për bukë goje, sepse mbetën jashtë shoqërisë, e që këta njerëz bënë sakrificë gjithë jetën për të mirën e kombit. Ka në fund, a në fillim, tanë, që ishin gjithnjë kundër kombit dhe që tani janë në krye dhe me të gjitha të mirat!…
Është kjo një temë e ndaluar dhe e heshtur plotësisht në tërë vendin dhe -edhe kur përmendet, kjo bëhet për ta hequr tërësisht arsyen dhe vëmendjen, me të vetmin qëllim që të luftohet kundër saj deri në fund. .
Le’ –mos e përmend!…
Kjo nuk është që na ndodhi vetëm neve. Në krejtë botën ka kështu tema të ndaluara dhe shkase për to. Gjithë bota ka prejardhjen nga krimi dhe padrejtësia. Kufinjt tregojnë të kaluarën dhe përpjestimet e forcave që i bënë këta. Nën të kështuquajturit kufinjë e kombe, e shtete, e duke pretenduar të drejtën historike dhe ndarjen e drejtë, në të vërtetë veçsa hiqet çdo shënim për temën. Le më që pastaj historianët e të tjerët shkruajnë e botojnë libra e libra, kurse arkivat janë me kilometra të gjatë me dokumente dëshmi të kufinjve të shteteve e kombeve, në arsyetim të së drejtës historike të qenies së tyre. Përralla të kohëve të reja. E nuk shkojnë edhe përralla edhe koha e re!…
Këto punë të gjitha u bënë me forcë, me luftëra të përgjakshme, me zhdukje popujsh –që nuk janë më, me shtyrje e bërryla dhe marrëveshje në përfundim nëpër konferenca e kongrese. Për të gjitha të vërtetat e këtyre ngjarjeve sëpari nuk shkruan kush kurrë, e pastaj shkruajnë të gjithë dhe kush do! Pasi bëhet kështu sigurimi i mbylljes së informatës, shpallet publike informata dhe u jepet e drejta të gjithëve që ti qasen, duke paragjykuar demokracinë dhe liritë njerëzore. E vërteta në të vërtetë kurrë nuk thuhet, as nuk lejohet të thuhet.
Le, mos e përmend!
Sa qasje kurioze e ngazëllyese pati për lajmin se në Ukrainë paska mbi katër milionë shqiptarë. Tani kur ka kohë që nisi konflikti i rëndë i përgjakshëm në atë vend, kush kurrë nuk e zu në gojë fatin e atyre katër milion shqiptarëve atje!?!…-Po le’ –mos e përmend!?…U mësuan edhe tanët si bota.
Lajm është tani ngjarja që duhet e nxit një biznes me dhuratë anash. Lajmi që nuk sjell një grusht eurosh a një ardhje në konto të bankës ku varemi si majmunët, nuk ka rëndësi. Këtë e mësuan tanët duke ndenjur me të huajtë dhe duke marrë mësimet shpejt në kurse të detyrueshme të pasluftës. Me kurse të pasluftës por këto kurse u bënë kusht për punësim. Nuk pranohet më shkolla e paraluftës. Më hollë nuk pranohet as gjuha shqipe dhe as identiteti, anise kjo heshtet.
Tema e ndaluar kështu mbet siç ishte në hir të saj të madhështisë së frikshme që bën pushtet në zemrat e njerëzve. E dijmë të gjithë por nuk e themi sepse vjen ndëshkimi i tmerrshëm për dëshminë. Kush flet drejt a nuk don të bëj si i thonë magët e rrugëve tani të pushtetshëm, mbetet jashtë portave dhe në vetmi, ku ka ftoht e kërcëllimë dhëmbësh.
E të gjithë bëjnë kështu, sepse të gjithë e duan jetën, -edhe padronët, -edhe të varurit e tyre. Pa sy, pa veshë, pa duarë, pa këmbë, -trup edhe kur mbeten, -duan të jetojnë. Duan nën diell të zgjasin ditët e tyre të shtrenjta të jetës, sepse nuk ka gjë më të shtrenjtë se falja. Jeta bën kështu që njerëzia të japin gjithçka për të.
Ku gjuhen njerëzit!…
Le’ –mos e përmend!…
