/2L ONLINE/ – Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, Ministri i Arsimit i Qeverisë së Kosovës është përgjegjës për çështje të arsimit që përfshijnë tërë territorin e Kosovës, ndërsa Qeverisja Lokale është përgjegjëse për organizimin e mësimit në nivelin parafillor, fillor dhe atë të mesëm.
Bazuar në nenin 12, të Ligjit nr. 03/L-068, për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës.
Pika 12.1 thuhet: Komunat kanë kompetenca për krijimin e kushteve për ofrimin e shërbimeve edukativo-arsimore në gjuhën serbe.
Sipas të njëjtit Ligj, neni 12 pika.12.2,thuhet: Shkollat të cilat japin mësim në gjuhën serbe mund të përdorin plan-programe apo tekste shkollore të hartuara nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë, pas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës.
Në pikën 12.3 thuhet: Plan programet apo tekstet shkollore përkatëse të Republikës së Serbisë nuk do të përdoren për mësimdhënie para njoftimit të MASHT-it.
Nëse pas këtij njoftimi, MASHT-i brenda tre muajve nuk paraqet ndonjë kundërshtim (në mënyrë që t’i ofrohet kohë e mjaftueshme Ministrisë të shqyrtoj plane programet apo tekstet shkollore në fjalë), ai material mund të përdoret.
Në pikën12.4 thuhet: Në rast të paraqitjes se kundërshtimit nga ana e MASHT-it për përdorimin e ndonjë plan programi apo teksti shkollor të caktuar në gjuhën serbe, çështja i dërgohet komisionit të pavarur, i cili themelohet në bazë të nenit 13 të këtij ligji, për të shqyrtuar plan programin apo librin shkollor në fjalë, për të siguruar përputhshmërinë e tij me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi. Plan programi mësimor i caktuar ose teksti shkollor nuk mund të përdoren për mësimdhënie pa vendosur komisioni i pavarur.
Komisioni i Pavarur për shqyrtimin e materialeve mësimore në gjuhën serbe përbëhet nga:
nga shtatë (7) anëtarë:
tre (3) përfaqësues nga MASHT-i; tre (3) përfaqësues të zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, të cilët mbajnë ulëset e garantuara për komunitetin serb të Kosovës; dhe një (1) anëtar ndërkombëtar.
13.2 Vendimet e Komisionit merren me shumicë votash.
Si është aktualisht gjendja në shkollat me mësim në gjuhën serbe?
1. Shkollat në gjuhën serbe punojnë me Kurrikulën e Serbisë, tekstet shkollore shtypen në Serbi, në ato tekste Republika e Kosovës prezantohet si Krahinë e Serbisë, ndërsa shqiptarët si armiq të serbëve dhe gjendja ekzistuese si e përkohshme, sepse Serbia, sipas këtyre teksteve me të cilat edukohet brezi i ri i nxënësve të komunitetit serb, për shkollimin e të cilëve paguajnë taksapaguesit shqiptar të Kosovës, shpejt do të rikthehet në Kosovë.
2. Kuadri mësimor, për këto shkolla, rekrutohet nga autoritetet serbe, ata nuk i nënshkruajnë kontratat e punës me DKA-të, në të cilat është logoja e Republikës së Kosovës. Edhe pse futja në listën e pagave të institucioneve publike, të atyre që nuk e kanë të nënshkruar kontratën e punës, është ilegale, të njëjtit futen në lista dhe paguhen nga Buxheti i Kosovës.
3. Shkollat me mësim në gjuhën serbe nuk i raportojnë Drejtorive komunale të Arsimit e as Ministrisë së Arsimit, për punën e tyre dhe nuk pranojnë të inspektohen nga këto autoritete të shtetit të Kosovës.
4. Drejtorët e shkollave, me mësim në gjuhën serbe nuk marrin pjesë në mbledhjet e organizuara nga Drejtorit e Arsimit nëpër komuna, ku drejtorët e DKA-ve janë shqiptarë.
5. Shkollat e mesme profesionale dhe gjimnazet hapen pa kurrfarë kriteri, pa marr leje nga Ministria e Arsimit, shpesh numri i nxënësve në këto shkolla është shumë i vogël.
6. Numri i mësimdhënësve dhe punëtorëve teknik në këto shkolla, për kokë nxënësi është shumë më i madh se në shkollat me mësim në gjuhën shqipe.
7. Ka raste kur punëtorët, për arsye të ndryshme, largohen nga procesi mësimor por ata vazhdojnë të mbesin në listat e pagave. Edhe në rastet kur zbulohen këto raste të keqpërdorimit të buxhetit askush nuk merret në përgjegjësi.
Çka ka konstatuar Komisioni i Pavarur pas shqyrtimit të teksteve shkollore në gjuhën serbe që përdoren në Kosovë?
Komisionin i Pavarur, për shqyrtimin e Teksteve Shkollore në gjuhën serbe, qysh në vitin 2010, i ka shqyrtuar të gjitha tekstet shkollore në përdorim në Kosovë dhe programin mësimor në gjuhën serbe që nga klasa e 1 e deri në klasën e 12 dhe ka konstatuar se një numër i madh i këtyre teksteve janë në kundërshtim me marrëveshjen dhe paraqesin shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Megjithate tekstet në fjal edhe pas gjasht viteve vazhdojnë të përdoren me përmbajtje të nyejt, derisa MASHT-i dhe institucionet tjera të Kosovës nuk kanë ndërmarr asgjë me qëllim të pengimit të shkeljes së Kushtetutës së Kosovës edhe pse për një gjë të tillë i obligon ligji.
Komisioni i Pavarur kërkoi vëmendje të veçantë për dy çështjet:
1. Dallimet strukturore në sistemin e arsimit në dy shtetet.
2. Dallimet e kurrikulave ekzistuese të Kosovës si dhe lëndën e edukimit fetar që mësohet në Serbi.
Dallimet strukturore në mes të sistemeve arsimore të Kosovës dhe Serbisë janë:
1. Ndarja e shkollimit në arsimin fillor dhe të mesëm në Kosovë, ndjek një model 5 + 4 + 3.
2. Modeli i aplikuar në Serbi (dhe i shkollave serbe në Kosovë) është i strukturuar sipas modelit 4 + 4 + 4.
Sa i përket plan-programeve janë konstatuar dallime që e lëndojnë seriozisht Kushtetutën e Kosovës.
Shembujt në vijim dëshmojnë për konstatimin e lartpërmendur:
Në tekstet e gjeografisë, fëmijët mësojnë se Kosova është krahinë jugore e Serbisë.
Edukimi fetar në Serbi mësohet që nga viti 2001.
Duke pasur parasysh faktin se Kushtetuta e Republikës së Kosovës e definon Kosovën si shtet laik, kjo lëndë nuk mësohet në shkollat e Kosovës.
Në librin e matematika të klasës së IV , të shkollës fillore, territori i Serbisë, i paraqitur në kilometra katrorë, përfshin edhe territorin e Kosovës .
Në librin Informatikë dhe Kompjuter të klasës: Vl, të shkollës fillore, Harta e Serbisë e përdorur si ilustrim nuk e paraqet Kosovën shtet të veçantë.
Libri i gjuhës Frënge, i klasës së Vlll : në hartën e Evropës, brenda Republikës së Serbisë përfshinë edhe territorin e Kosovës.
Në librin e kl. lll të shkollës së mesme: Kushtetuta dhe të Drejtat qytetare nuk ka asnjë referencë për statusin kushtetues të Kosovës. Për Serbinë thuhet se është shtet unitar me dy krahina, atë të Vojvodinës dhe atë të Kosovës dhe Metohisë.
Në librin e muzikës të kl. VI të shkollës fillore gjendet himni kombëtar i Serbisë, por jo edhe himni i Republikës së Kosovës. Përmbajtja e teksteve të historisë për fundin e shekullit XlX dhe fillimin e shekullit XX pasqyron një perspektivë ekskluzivisht serbe: Lufta e shqiptarëve për çlirim dhe mbijetesën e tyre në Kosovë është portretizuar si presion drejtuar ndaj popullit serb në Kosovë, dhe e cila, në bazë të teksteve shkollore, ka shkaktuar një eksod të serbëve, nga viti 1876-1912.
Demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovë për statusin e Republikës, brenda Federatës Jugosllave, shqiptarët janë të referuara si një pakicë.
Diskriminimi i shqiptarëve në periudhën 1981 – 1989, nuk është prezantuar fare në tekstet shkollore në gjuhën serbe që përdoren edhe në Kosovë.
Shembujt e lartpërmendur dhe shumë të tjerë që nuk janë përmendën në këtë shkrim janë marr nga raporti i Komisionit të Pavarur, i cili ka konstatuar se këta shembuj paraqesin shkelje të rënd të Kushtetutës së Kosovës.
Përkundër konstatimit të komisionit, këto tekste pa asnjë pengesë, madje as përpjekje për ta penguar një gjë të tillë nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës, ju jepen në shfrytëzim nxënësve të komunitetit serb në Kosovë.
Duke e pas parasysh se në këtë mënyrë Shteti i Kosovës me buxhet të vetin kultivon ndjenja armiqësore ndaj Republikës së Kosovës, te brezi i ri që jeton në këtë vend dhe se kjo neglizhencë e Institucioneve të shtetit sigurisht do t’i kushtoj shtrenjtë këti vendi.
Ne kërkojmë nga Institucionet përkatëse të Qeveria së Kosovës dhe veçanërisht nga Ministria e Arsimit, që të t’i ndërmerr masat për të cilat është e obliguar me ligj për ta pamundësuar shkeljen e Kushtetutës dhe përhapjen e urrejtjes në mesin e shkollarëve të ri të komunitetit serb, të cilët në këtë situatë, pa fajin e tyre, kurrë nuk do të integrohen në shoqëri dhe asnjëherë, nuk do ta përjetojnë Republikën e Kosovës, si Republikë të tyre. /2L ONLINE/