DYLON

Teatri si metaforë e fatit kolektiv

Teatri si metaforë e fatit kolektiv
Avatar photo Redaksia

Nga: Shefqet DIBRANI

TEATRI SI METAFORË E FATIT KOLEKTIV

EkoHigjiena

(Ibahim Kadriu: “Teatri Kosovë”, Botoi Sh. B. “Faik Konica”, Prishtinë, 2025, faqe 70. ISBN 978-9951-31-089-5)

Në universin poetik të Ibrahim Kadriu, vargu është mjet i shprehjes artistike, dhe si akt përgjegjësisë intelektuale. Poema “Teatri Kosovë” shfaqet si një metaforë e zgjeruar e realitetit kosovar, në një skenë të hapur ku historia, politika, morali dhe zhgënjimi kolektiv ndërthuren si një dramë e vazhdueshme.

Me dekret
Pa vullnetin e spektatorëve
Është ngritur Teatri Kosovë
Me një skenë akustike
Ku këndohen veç këngë trimërie
Dhe vihen në skenë
Premiera dramash e tragjedish

Pamja e parë, faqe 7.

Poema është e ndarë në shtatëmbëdhjetë pamje të një kronike poetike e kohës sonë, në të cilën “Teatri Kosovë ka traditë shekujsh”, (po aty, f.7).

Teatri si simbol i absurdit dhe i përditshmërisë

Titulli është çelësi interpretues i veprës. “Teatri” nënkupton lojë, maskë, rol, regji; “Kosovë” nënkupton një hapësirë konkrete gjeografike e parë në kontekstin diakronik, historik e politik. Duke i bashkuar këto dy nocione, poeti ka krijuar një metaforë të fuqishme për realitetin të kthyer në skenë, ndërsa qytetarët janë aktorët të cilët nga pavetëdija e shëmtojnë edhe më tej realitetin me rolin e tyre që luajnë.

Në Teatrin Kosovë
Krejt janë të mençur,
Heronj, sundimtarë
Regjisorë të shkëlqyeshëm e aktorë
Me shpinë të kthyer njëri-tjetrit,
Krejt pushtetarë
Të përulur mandatesh
Rrenave u bëjnë temena
Natë e ditë njësoj qeshin
Në skenën e hapur tek luhen rolet
Në dramën që zgjatë
E s’dihet kur bie perdja.

Pamja e tretë, faqe 11-12.

“Teatri Kosovë”, është skenë e hapur dhe i mbushur përplot me kontradikta dhe mosmarrëveshje. Si në teatër real, edhe aty ka karrige dhe banka dhe duartrokitje që nuk mungojnë, por edhe britma, për të cilat “nuk duhet kurrfarë shkolle”, (f.22). Ka, regjisorë të padukshëm dhe një publik që shpesh bie në gjumë përballë dramës që zhvillohet para syve të tij. Kështu, teatri bëhet metaforë e një shoqërie ku rolet ndërrohen, por loja vazhdon. Struktura e poemës në “shtatëmbëdhjetë pamje” i jep veprës karakter dramaturgjik. Çdo pamje është një akt i veçantë i tragjikomedisë sonë kolektive, nga këngët e trimërisë e gjer tek etja për pushtet, që sa vite, “Loja është si në ankth, me ilet,/ me personazhe me flamë/ Të ngarkuar me virusin/ për zënien e karrigeve të famshme”, (f.28). Kështu pamja është “E tëra e shndërruar në ethet/ me shtrirje epidemike/ Për ta stolisur kokën/ me oreolë vlerash akademike”, (po aty, f.28). Dhe në këtë mënyrë, poema merr dimension skenik, duke e bërë lexuesin njëkohësisht spektator dhe pjesëmarrës.

Satira dhe zhgënjimi si energji poetike

Në këtë poemë realiteti paraqitet si treg i hapur i falsitetit: Diploma false, vendime false, lista false, institucione false. Kjo përsëritja e fjalës “false”, në këtë qasje zëvendëson shprehjen “Teatri Kosovë”, dhe ka për qëllim të krijoj një ritëm akuzues për të shënuar një efekt përmbledhës që do ta thellojë ndjesinë e rënies morale. Në këtë poemë, Ibrahim Kadriu, përveç metaforës “Teatri Kosovë” që ka ndërlikuar të gjitha metaforat tjera, përseri ai godet drejtpërdrejt, me gjuhën e tij artistike duke e kthyer poezinë në akt proteste.

Kishin marrë vesh për Teatrin Kosovë
Nga Antika ishin nisur bashkërisht
Eskili me shokë të entuziazmuar për tema

Pamja e gjashtë, faqe 16.

Në pamjen e katërmbëdhjetë është vargu, “Që do t’i kenë parasysh mbështetjet në ëndrra”, (f.29), kurse zhgënjimi merr trajtë më të brendshme. “Të gjitha ishin zënë edhe nga komandantët e Bllaces/ Të hyrë në numra/ Që vazhdojnë të pjellin numra të tjerë/ Bashkë me këngët e tekstet e vjedhura nga baladat”, (f.30). Varg shndërrohet në britmë ndërgjegjeje. Idealet e dikurshme, të lindura në male e sakrifica, janë zbehur përballë etjes për pushtet dhe pasuri. “Për ta mbajtur gjallë efektin e tragjedisë/ Me vdekjen e tyre plotësonin dëshirat e ndezura/ Me vdekjet e tyre e mbanin gjallë Teatrin Kosovë”, (f.24). Vargjet dëshmojnë për ciklin e pafund të mungesës dhe padrejtësisë në Teatrin Kosovë. Në këtë rast poeti Ibrahim Kadriu i afrohet frymës së revoltës sociale të cilën e hasim në çdo pamje të kësaj poeme. Kjo poemë nuk është rastësi, sepse Ibrahim Kadriu, një jetë e ka kaluar si redactor, jo vetëm i poezisë, prandaj poema “Teatri Kosovë”, bëhet zë i pakënaqësisë dhe thirrje për zgjim.

Estetika e angazhimit

Nuk ka asnjë dilemë, në poemën “Teatri Kosovë”, poeti Ibrahim Kadriu apelon për atdhedashuri dhe për një angazhim të vazhdueshëm rreth çështjeve të rëndësishme të kombit. Ky angazhim artistik vërehet qartë në këtë poemë, në të cilën poeti nuk e ka fshehur qëllimin e tij, për të mos thënë zhgënjimin intelektual. Ai nuk kërkon vetëm bukurinë e vargut, por ndikimin e tij. Megjithatë, vlera e poemës “Teatri Kosovë” nuk qëndron vetëm në mesazhin, por në mënyrën si ai arikulon mendimin e tij. Metafora për teatrin, struktura skenike, ironia, ritmi i përsëritjes dhe përzierje tonesh me ngarkesë të elegjisë e deri te satira, e bëjnë poemën një tekst pooetik, ku tragjikja dhe groteskja bashkëjetojnë.

Përfundim

Poema “Teatri Kosovë” është një pasqyrë e realitetit të hidhur, dhe një vepër arti e kohës sonë. Ajo na fton të reflektojmë mbi rolin tonë në këtë skenë të madhe që quhet Kosovë: ku vet jemi aktorë dhe spektatorë të heshtur?

Po të ndodhte ta shihnin shfaqjen në Teatrin Kosovë
Do të bënin vetëvrasje për parimet e tyre flijues
Para gjetjes së shprehjeve për luftëtarët ëndërrues
Derisa për çlirimin e pragut vazhdonin të bënin provë
Para pershëndetjes me pështymje të dikurshmit rebelë
Do të bënin harakiri për tradhtinë e parimeve flijuese
Që u bënë ushqim për korruptim e të tjera poshtëruese
Dhe i ndihmuan emrit tjetër të quajtur – bedelë…

Pamja e shtatëmbëdhjetë, faqe 34-35.

Në këtë teatër modern, ku varret mbeten të vetmet realitete të paluajtshme, poezia e Ibrahim Kadriut ngrihet si akt ndërgjegjeje. Ajo nuk premton zgjidhje, por kërkon zgjim të menjëhershëm. Dhe ndoshta, pikërisht këtu qëndron forca e saj më e madhe, në aftësinë për ta kthyer fjalën në skenë, e skenën në pasqyrë të sjelljes kolektive.

Shefqet DIBRANI

***

POETIT QË E PA SKENËN PA PERDE
(Ibrahim Kadriut)

Ti nuk e shpike teatrin, Ibrahim Kadriu,
ai ishte ngritur para se të lindte fjala,
me skenë prej balte e gjaku,
me perde që s’binte kurrë.
Ti veç ia hoqe pluhurin afisheve,
lexove emrat nën mermer,
dhe na the:
shikoni mirë –
këtu luhet pa pushim.
Në skenën tënde
Godua nuk vonohet rastësisht;
ai rri larg,
duke parë si ndërrojmë maskat
pa u parë në pasqyrë,
edhe këtu në Kosovë.
Ti e dite
se tragjedia jonë s’ka nevojë për regjisor,
se aktorët lindin vetë
nga ethet e karrigeve,
nga zjarri i kolltuqeve,
nga duart që duartrokasin
edhe kur s’kanë më pëllëmbë.
Ibrahim Kadriu,
ti e fute Beketin në ankth shqiptar,
e le Eskilin të presë në Sllatinë,
dhe e bëre Jagun të kërkojë identitet
në një gjuhë që e harron veten.
Sa qetë e the
se vetëm varret janë reale.
Sa rëndë na ra kjo fjalë,
si një perde prej guri
mbi supet tona prej kartoni.
Në teatrin tënd
britma është traditë,
ëndrra është anestetik,
kurse liria –
një rol që s’dihet kush e luan.
Po ti nuk u bëre spektator.
As aktor i devotshëm.
Ti zgjodhe të jesh zëri nga prapaskena,
ai që i numëron aktet
dhe pyet me zë të ulët:
kur bie perdja?
Dhe nëse një ditë
ajo vërtet bie,
do të jetë sepse dikush
e lexoi poezinë tënde me sy hapur,
jo për ta duartrokitur,
por për ta ndalur shfaqjen.
Ibrahim Kadriu,
ti e shkrove dramën tonë
pa kërkuar rol në të.
E kjo është trimëria më e madhe:
të thuash të vërtetën
kur publiku fle
dhe aktorët qeshin,
në “Teatrin Kosovë?!”…