/2L ONLINE/ – Përkundër përpjekjeve, por edhe të disa lëvizje pozitive në drejtim të përmirësimit të gjendjes, Teatri i Qyteti të Gjilan vazhdon të jetë “i mbyllur”, që nga fundi i marsit kur punëtorët e këtij institucioni kishin ndërprerë aktiviteti e tyre, të pakënaqur me gjendje aktuale në këtë institucion të kulturës, mungesës së pagave me muaj të tërë, por edhe të një nevoje për një zgjidhje të përhershme për këtë institucion kulturor, sepse problemet që po e përcjellin këtë teatër janë të ri-përsëritshme ndër vite.
Ali Demi, drejtor i Teatrit të Qytetit të Gjilanit thotë për Portalin 2L ONLINE, se gjendja në Teatër nuk është e mirë, por shton se mbahen me shpresë në përmirësim për shkak të disa lëvizjeve që janë duke u bërë në kërkim të zgjidhjes së situatës.
Demi ka konfirmuar edhe njëherë faktin se që nga fund marsi e këndejmë janë ndërprerë aktivitetet dhe po pritet një zgjidhje. Mësohet se një vendim i Kuvendit për t’iu ndarë mbi 30 mijë euro subvencion këtij teatri me të cilën besohej se do të zbutej sadopak gjendja e punëtorëve kur janë në pyetje pagat e tyre, veçse është jetësuar, mirëpo duket se tani kemi një problem të ri se si do të përdorën ato mjete, për paga apo për projekte, çka pritet të sqarohet shpejtë.
Ali Demi, drejtor i Teatrit të Qytetit të Gjilanit pret të sqarohet me të parin e komunës për këtë çështje, ndërkohë që ai ka bërë të ditur edhe për një renovim që do të ndodh në teatër, mundësuar nga Ministria e Kulturës. Ndërkohë që ai zgjidhjen e sheh në angazhimet e të gjithëve faktorëve relevantë për një zgjidhje të përhershme.
Se funksionimi i Teatrit të Gjilanit me subvencionime nga komuna nuk është i bollshëm flet fakti se asnjëherë nuk mund të realizohet repertori i planifikuar i kësaj shtëpie kulturore e cila në gjirin e saj ka aktualisht 28 të punësuar, prej të cilëve 3 në pjesën menaxhuese, 7 në atë teknike si dhe ansamblin rezident prej 18 aktorëve.
Përndryshe, Demi si mundësi të mirë për zgjidhjen e çështjes së teatrit e sheh në atë të krijimit të një nënkodi veç për teatër, në futjen e Teatrit nën ombrellën e Ministrisë së Kulturës e cila do të ndihmonte financiarisht, do të ndante mjete për paga, përkatësisht për projekte të teatrit, thjeshtë Teatri duhet t’i ketë mjetet e veta, me të cilat do të planifikohej dhe përmbushej pastaj plani i tij vjetor.
Mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat tutje, por ajo çfarë shihet qartë është pakënaqësia e grumbulluar tek punëtorët dhe aktorët e këtij Teatri. Disa prej tyre edhe sot ishin para teatrit në pritje se çfarë përgjigje do të marrin për mjetet që i ka ndarë komuna, pasi që Kuvendi Komunal kishte marrë vendim për këtë, në njërën nga seancat e kaluara, por duke mos dashtë të deklarohen publikisht, ata patën vetëm një porosi, edhe për menaxhmentin edhe për komunën, “ose gjeni zgjidhjen ose vendosjani një dry edhe të madh Teatrit – S’ka rrugë tjetër. /2L ONLINE/