/2L ONLINE/ – Teatri i Qyteti të Gjilanit do të mbetet edhe për pak kohë me duar bosh, nëse i referohemi një kërkese të Njësisë për Kulturë, Rini e Sport që Teatrit të Qytetit t’i ndahet një shumë prej 70 mijë euro, e që madje kishte marrë bekimin edhe të Komitetit për Kulturë, Rini e Sport, por kur kjo çështje erdhi në rend dite në takimin e Komitetit për Politikë dhe Financa, aty hasi “gozhda n’sharrë”.
Komiteti për Kulturë, Rini e Sport (KKRS), një ditë më parë i kishte dhënë mbështetje kërkesës së Njësisë për Kulturë, Rini e Sport për ndarjen e një shumë prej 70 mijë euro për Teatrin e Qytetit, si nevojë emergjente për funksionimin e këtij institucioni, i cili prej disa vitesh po përballet me probleme të tilla, shkaku i statusit të padefinuar.
Shpresa Kurteshi, kryesuese e këtij Komiteti kishte thënë se këto mjete janë të nevojshme për kompensimin e pagave të aktorëve për 6 muaj si dhe për financimin e tri shfaqjeve të planifkuara për këtë pjesë të dytë të vitit dhe se ishte shprehur optimiste se kërkesa për ndarjen e mjeteve, do të haste në përkrahje edhe te Komitetit për Politikë dhe Financa si dhe në Kuvendin Komunal, ku merret vendimi përfundimtar.
Por, kur Komiteti për Politikë dhe Financa, të martën shqyrtoi edhe këtë çështje, vendosi që kërkesa e Njësisë për Kulturë, Rini e Sport për ndarjen e një shume prej 70 mijë euro, për teatrin e qytetit, të shtyhet për shtator.
Avdyl Aliu (LDK), shef i grupit, ka thënë se sa i përket kërkesës së Njësisë për Kulturë, nuk duhet votuar diçka, pa e ditur paraprakisht nëse ekzistojnë mundësitë financiare.
Zijadin Maliqi, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, ka sqaruar se mundësitë ligjore nuk lejojnë ndarjen e kësaj shume prej 70 mijë euro, meqë edhe rishikimi i buxhetit është bërë tashmë. Kultura duhet të punojë me mjetet që i ka në dispozicion për këtë vit, ka thënë Maliqi.
Bashkim Nexhipi, koordinator i Njësisë për Kulturë, Rini e Sport, ka thënë se pagat mund t`i mbulojnë disi me buxhetin që kanë, por rrezikohet realizimi i tri shfaqjeve të planifikuara për sivjet.
Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se janë gjithmonë për zgjidhje, por në këtë rast, kërkesa e Kulturës duhet të shtyhet për shtator, pasi që ka ardhur me vonesë dhe drejtori i Financave i sqaroi mundësitë buxhetore. /2L ONLINE/