/2L ONLINE/ – Teatri i Qytetit të Gjilanit ka muaj që është pa drejtor, prej se është dorëhequr ish drejtori Ali Demi, ndërkohë që edhe mungesa e drejtorit, përveq tjerash, ka bërë që ky institucion të vazhdojë të ballafaqohet me probleme nga më të ndryshmet. Në fakt, Komuna e Gjilanit, kishte shpallur konkurs për drejtor të Teatrit por se, gjërat vlerësohen të kenë shkuar shumë “zvarrë”, pasi akoma nuk po kemi një kandidatë të përzgjedhur për këtë post që do ta merr bekimin për t’i prirë këtij institucioni të kulturës.
Tek sot, kandidatët që synojnë këtë post iu janë nënshtruar edhe testit me gojë, para një Komisioni, pas atij me shkrim, dhe se pritet të shihet sot, apo në ditët në vijim, se cili do të jetë rekomandimi i tyre dhe më pas edhe cila do të jetë përzgjedhja.
Përndryshe, janë katër kandidatë që synojnë këtë pozitë, e që sot nga Këshilli Drejtues i Teatrit të Qytetit, ishin ftuar në testim me gojë, pasi paraprakisht e kishin kaluar atë me shkrim. Nëse nuk ndodh ndonjë “e papritur”, Erson Zymberi, Bashkim Nexhipi, Alban Shahiqi apo Emine Toska, njëri nga këta, do të duhej, sa më parë, të jetë në krye të Teatrit të Gjilanit. /2L ONLINE/