/2L ONLINE/ – Teatri i qytetit të Gjilanit vazhdon të jetë pa drejtor, pasi akoma nuk po zgjidhet asnjëri nga ata që kishin konkurruar në konkursin e Komunës për këtë pozitë. Dhe, përveç telasheve tjera po vazhdon edhe vonesa e pagave. Derisa drejtuesit e sektorit të kulturës thonë se pare ka, por në mungesë të drejtorit, nuk po mund të jepen, aktorët kërkojnë që sa më parë të zgjidhet ky problem dhe të mos përsëritet më.
Për më tepër, ansambli rezident i aktorëve gjilanas ka dërguar një deklaratë në adresë të PortaliT 2LONLINE, përmes të cilës kërkojnë nga kryetari i komunës që të marrë masa për mospërsëritjen e këtij problemi.
Në anë tjetër Kujtim Shahiqi, përgjegjës i sektorit të Kulturës ka pohuar për Portalin 2L ONLINE, se edhe këtë muaj janë ballafaquar me këtë problematikë. Shahiqi tha se mjete ka, por në mungesë të drejtorit nuk po mund të nënshkruhen dhe të shpërndahen pagat. Ai tha se pret që drejtori të zgjidhet shumë shpejtë dhe se kjo çështje të mos përsëritet më.
Në anën tjetër, ja deklarata e plotë e ansamblit rezident të aktorëve të teatrit të Gjilanit që ua sjellë 2L ONLINE.
“Duke u bazuar në kontratat mbi shërbime të veçanta, të cilat kanë hyrë në fuqi prej muajit Qershor 2016, të nënshkruara në mes të Ansamblit rezident të aktorëve të teatrit në njërën anë dhe kryetarit të komunës, z. Lutfi Haziri”, në anën tjetër. Ansambli i aktorëve të teatrit të Gjilanit, duke parë që janë duke u përsëritur vonesat në pagesë, si në muajin Qershor, po ashtu edhe në Korrik të këtij viti, kërkojmë nga kryetari i komunës, Lutfi Haziri, si palë kontraktuese, që të marrë masa për mospërsëritjen e këtij problemi. Kërkojmë që për muajin Korrik, urgjentisht të gjendet një formë për nënshkrimin e listës së pagave, e po ashtu të përshpejtohet procesi i zgjedhjes së drejtorit gjeneral, që të mos na përcjellë në të ardhmen problemi i mos nënshkrimit të listës së pagave. Sinqerisht, nga trupa e aktorëve rezident të teatrit të Gjilanit.
E mërkurë, 4Gusht 2016″