(2LONLINE) – Po vazhdon Greva e punëtorëve të Administratës së Universiteti të Prishtinës, ndërkohë që në grevë nga sot janë futur edhe ata të Degëve të UP-së (juridiku, ekonomiku e edukimi). në Gjilan.
Punëtorët e Administratës së Universitetit të Prishtinës janë në grevë që nga e enjtja e kaluar duke kërkuar nivelizimin e pagave me zyrtarë administrativ në institucionet e tjera, e të cilët nuk ishin përfitues nga rritja e kaluar e pagave, prej 30 % me arsyetimin se nuk i takojnë shërbimit civil.
E në grevë nga sot janë edhe ata të Degëve të UP-së në Gjilan duke konfirmuar se bëhet fjalë për të njëjtën grevë dhe për të njëjtat kërkesa. Ndryshe, administrata e Universitetit të Gjilanit po punon normalisht, ndonëse ka fjalë që ditëve në vijim mund të futen edhe ata në grevë për t’u solidarizuar me kolegët e tyre nga UP-ja.
Në anë tjetër, Unioni i Studentëve Pro Evropian si organizatë studentore masovike, në mbledhjen e fundit te mbajtur, shprehu shqetësimin mbi gjendjen aktuale në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” e cila ka ardhur si rezultat i grevës së punëtorëve të administratës së këtij universiteti.
“USPE, si organ i përfaqësimit të studentëve, nuk do të lejoj që studentët të pësojnë nga kjo situatë, studentët nuk duhet të humbin mundësitë për bursa dhe programe të ndryshme ndërkombëtare, dhe në asnjë mënyrë të humbin afatet e provimeve si ai i marsit për absolventë, dhe shumë çështje të tjera të rëndësishme administrative për studentët e UP-së”, thuhet në këtë reagim..
“Për të dal nga kjo situatë, kërkojmë nga Rektori dhe Këshilli Drejtues i UP-së, që të trajtoj seriozisht grevën dhe në afat sa më të shkrutër kohor, të prodhojnë një zgjidhje adekuate për grevistët, duke bashkëvepruar, me organet kompetente, në mënyrë që të dilet nga kjo bllokadë”, thuhet në fund të reagimit të Komisionit për informim të Unionit të Studentëve Pro Europian. /2lonline/