/2L ONLINE/ – Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) e ka vlerësuar të qetë gjendjen e sigurisë në Gjilan, por duke i marrë parasysh kërcënimet nga ekstremizmi dhe tubimet protestuese, të paralajmëruara edhe nëpër komuna, ka bërë thirrje për rritjen e disiplinës dhe mbikëqyrjes nëpër shkolla, në mënyrë që të parandalohet mundësia e manipulimit me fëmijët.
Halit Rexhepi, kryesues i KKSB, ka thënë se në Gjilan, nuk ka pasur deri tani veprime që rrezikojnë jetën dhe pasurinë e qytetarëve, por ka shfaqur brengën për mundësinë e përfshirjes së fëmijëve në tubimet e paralajmëruara nga opozita, duke kërkuar që politika të rri larg prej shkollave.
Përndryshe, komandanti i Stacionit të Policisë në Gjilan, majori Remzi Azemi, ka thënë se gjendja e përgjithshme e sigurisë është e mirë dhe nuk ka ndonjë tendencë për rritje të kriminalitetit.
Shqetësim, sipas tij, mbeten vjedhjet dhe vjedhjet e rënda, ku për fat të keq janë të përfshirë edhe persona nën moshën 14-vjeçare.
Efikasiteti i zbulimit të veprave penale në këta 11 muaj të vitit, përfshirë edhe vjedhjet, është rritur për 8 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka thënë Azemi.
Azemi është shprehur i kënaqur edhe me bashkëpunimin e qytetarëve me policinë.
Përndryshe, Halit Rexhepi ka prezantuar edhe një informatë për aktivitetet e KKSB, gjatë kësaj periudhe, duke thënë se ka qenë një vit intensiv i punës në funksion të sigurisë së përgjithshme, tolerancës ndëretnike e ndërfetare si dhe në trajtimin e problemeve tjera të ndryshme, siç ka qenë migrimi ilegal dhe të tjera.
Duke qenë se jemi në prag të festave të vitit të ri, KKSB ka kërkuar zbatimin e afateve për shitjen dhe përdorimin e fishekzjarrëve si dhe gjetjen e një zgjidhje për largimin e qenve endacakë nga rruga. /2L ONLINE/