Ky shkrim ka për qëllim të prekë ndërgjegjen e Kryeministrit z. Hashim Thaçi që po ka para me shpërndarë me thasë dhe të Ministrit të Shëndetësisë z. Ferid Agani
Shkruan: Avdyl Jerliu
(2LONLINE) – Titulli tregon qartë se jam një prind i një fëmije me aftësi të kufizuara dhe atë aftësi të kufizuar e ka në dëgjim. Këtu nuk flas vetëm për fëmijën tim por mua më kanë dhënë të drejtën dhjetëra prindër të fëmijëve me këtë problem që të flasë edhe në emrin e tyre. Shqetësimi i të gjithë prindërve është se si po na trajton qeveria e Kosovës e në veçanti Ministria e Shëndetësisë neve dhe në veçanti këta fëmijë.
Për opinionin e gjerë po e bëjë një rezyme rreth këtyre fëmijëve të cilët për fat të keq kanë dëmtim të rëndë në shqisën e të dëgjuarit. Këta fëmijë pas shumë përpjekjeve me prindërit e tyre bredhin rrugëve dhe spitaleve të ndryshme të vendit, të rajonit dhe të Evropës. Por ku do që shkuan për ta propozohej “Implant Koklear”, i cili ishte me një kosto shumë të lartë për familjet e këtyre prindërve e që çmimi i këtij operacioni sillej nga 35.000€ e deri në 70.000€ varësisht nga vendi por gjithmonë jashtë Kosovës.
Gjatë kësaj kohe disa nga prindërit kanë kërkuar ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë që ti ndihmoj me mjete financiare për shërim jashtë vendit dhe nuk janë trajtuar mire nga një Komision i cili konstaton se a janë këta fëmijë në nevojë për shërim jashtë vendit. Një prind nga kolegët tanë e ka dërguar vajzën në këtë komision dhe a di çka ka qenë përgjigjja nuk është ky fëmijë për shërim jashtë vendit sepse e ka dëgjimin e dëmtuar vetëm 50% dhe nuk kalon, do ta kuptoni në lexim e sipër se çka ka ndodhur me këtë vajzë bukuroshe.
Por ne si prindër me një hall mbi supe nuk ke mi ndal asnjë ditë angazhimin tonë për tu bërë zgjidhje fëmijëve tanë dhe nuk i kemi humbur shpresat as te njerëzit as te Zoti.
Por një ditë e mire pranvere u takova me Doktorin e njohur Gjilanas z. Aziz Mustafa i cili na mbushi plot shpresë atë ditë se së shpejti fëmijë tuaj do të operohen në Prishtinë me ndihmën e një shoqate nga ,, Emiratet e Bashkuara Arabe,, dhe thënë të drejtën i besova pa hezitim. Dhe ajo me të vërtetë u bë realitet më 05.12.2012 erdhi në Kosovë Doktori me famë botërore ,,Mazin Al Hajri,, i cili kishte një përvojë shumë të madhe ku i kishte kryer mbi 1257 operacione të tilla. Dhe fati i fëmijëve tanë ishin gjetur edhe donatorët e implanti koklear që edhe ata ishin nga ,, Emiratet e Bashkuara Arabe,, Zoti i bekoftë të gjithë që kanë dhënë kontribut në këtë punë.
Për here të pare në Kosovë u krye implanti koklear me sukses, trajtimi ishte në nivelin më të lartë nga matelbardhët e repartit të ORL-së, të QKUK-së, por faleminderit shumë edhe nga ta, Zoti i bekoftë të gjithë. Pas gjithë kësaj donatori pati bërë një marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë që ti marrë të gjitha obligimet post-operative dhe kështu mbeti.
Puna kryesore që është dashtë të bëhet nga kjo ministri ka qenë trajtimi logopedik i fëmijë për dy tre vite në vazhdim deri sa këta fëmijë të fillojnë të flasin pa ndihmën e askujt. Por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi sepse i hëngrën fjalët siç jemi mësua me ta, këta më tepër e bënë atë marrëveshje vetëm e vetëm mos po munden me përfitua ndonjë euro për xhepin e tyre dhe kjo nuk ndodhi dhe mandej u tërhoqën dhe kurrë nuk e realizuan atë marrëveshje sot e asaj dite.
Këta donator e kishin edhe një shoqatë humanitare në Kosovë e cila merrej dhe sot merret me bamirësi ku përkujdeset për fëmijët jetim, familjet e dëshmorëve, familjet skamnore si dhe me ndihmën e të sëmurëve të cilët nuk trajtohen në vend, e kjo është ,, PATIENT HELP FUND KOSOVA,, me në krye z. Islam Cakaj.
Pasi që kaluan dy tre muaj pas operacionit dhe nuk filloi logopedia z. Islam Cakaj në kontakt me donatorin gjetën një fond që ta fillojmë logopedin dhe e filluam në mënyrë kolektive ta mbajmë logopedinë për shkak të kostos më të lire, kur dihet mirëfilli se shkenca e logopedisë kërkon që mësimi të mbahet në mënyrë individuale. Por ne si prindër në biseda e sipër me disa logoped nga QKUK-ja kemi biseduar se si me ja bërë kësaj pune ata kanë kërkuar ti dërgojmë te ta privat nga 300€ në muaj dhe ne në pamundësi ta përballojmë këtë kosto kemi pranuar që logopedinë ta organizojë shoqata në fjalë me mjete vetanake.
Kemi vazhduar diku rreth gjashtë muaj me këtë formë dhe suksesi ka qenë i vogël, por është ndërpre sepse nuk ka gjetur fonde për këtë trajtim dhe fëmijë tanë kanë mbetur pa logopedi në shtëpi duke i pasur logopedët tanë në QKUK të QKUK të cilët paguhen nga taksat tona por nuk na shërbejnë neve por aty janë sa për të gjetur klient për ordinancat e tyre private. Më tepër se gjashtë muaj ka që fëmijët tanë kanë mbetur pa trajtim logopedik dhe i kam shkruar Kryeministrit Hashim Thaçi në faqen e tij zyrtare (shkruaj Hashim Thaçit) dhe më është konfirmua se e ka pranua e-mailin por nuk mu ka përgjigjur asnjë herë.
I kam kërkuar kryeministrit që të bëjë presion në QKUK dhe të na e zgjidhë këtë problem por si duket ka punë ma të mëdha se kjo. Është duke u munduar edhe njëherë me na e lidhë sytë por kësaj here do të votojmë nëpër dritë dhe jo në terr.
I kam shkruar ministrit z.Ferid Agani dhe ja kam përshkrua rastin nga e para e që ai ishte në dijeni për problemin e këtyre fëmijëve dhe përgjigjja e tij ka qenë se jemi duke bërë shumë që ta zgjedhim këtë problem thuajse ai nuk është ministër por ndonjë shërbëtor. A po mos duhet me negociua në Bruksel me Serbinë.
Sikur këta fëmijë të ishin të minoritetit serb, Hashim Thaçi moti e kishe pare duke i puthur para televizioneve dhe duke i ndihmuar në mënyrë xhentëlmenë, por fati i tyre që janë shqiptar dhe nuk i trajton kush. Qytetar të nderuar kostoja e krejt kësaj pune nëse bëhet në institucione private është rreth 2500€ në muaj është fjala për 9 fëmijë e nëse bëhet në institucione shtetërore kushton (O). /2lonline/