Të premten riatdhesimi i 16 mbetjeve mortore
Janë identifikuar 16 mbetje mortore të trupave të gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës. Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, ka deklaruar për gazetën Tribuna se, personat e identifikuar do të riatdhesohen të premten në Kosovë.
“Të premten në mesditë, pritet të bëhet dorëzim-pranimi i 16 mbetjeve mortore të personave të identifikuar në Rashkë të Serbisë, por jo edhe të rreth 35 mbetjeve të trupave tjerë që dyshohet të jenë vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-99”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Deri më tani 50 trupa janë gjetur të varrosur në guroren afër qytetit të Rashkës, që gjendet pranë kufirit Kosovë-Serbi, por Drejtuesi i ekipit Kosovarë, thotë se edhe nëse nuk identifikohen këto mbetje mortore, ato do të kthehen në Kosovë më së largu deri në shtator të këtij viti.“Besoj që deri në shtator do t’i identifikojmë që të gjithë, por nëse nuk ia dalim atëherë e kemi ndërmend që t’i kthejmë patjetër në Kosovë”, ka deklaruar ai.
