/2L ONLINE/ – Nën organizimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport dhe me iniciativë të një grupi entuziastësh të fushës së aktrimit të komunës së Vitisë, është mbajtur sot një konferencë për shtyp mbi qëllimin e themelimit dhe funksionalizimit të Trupës teatrale të Vitisë.
Drejtoresha e kulturës Kaltrina Sylejmani ka thënë se janë një grup prej tre artistësh profesionistë të komunës sonë të cilët kanë shpreh vullnetin e mirë për të zhvilluar artin skenik në qytetin e Vitisë.
“Ne kemi besim që kjo trupë teatrale e cila ka marrë këtë iniciativë, do të arrijë qëllimin e krijimit të një trupe profesioniste, për të cilën ka nevojë qyteti I Vitisë. Ne do të jemi të përkushtuar për të mbështetur në çfarëdo lloj mënyre këta entuziastë të cilët edhe i falënderoj për këtë nismë e cila do ti kontribuojë zhvillimit të kulturës në përgjithësi”, ka thënë Sylejmani.
Ndërsa Florim Zeqiri aktor, është shprehur se do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë dhe të gjejnë talent të rinj në fushën e aktrimit dhe të realizojnë shfaqje në të ardhmen. Kurse Arbër Shema u fokusua më shumë në përgatitjen e audicionit që do të zhvillohet të premten prej orës 14;00, duke bërë të ditur edhe fushat në të cilat mund të konkurrojnë të rinjtë që kanë talent aktrimin.
Aktori Përparim Zeqiri, ka falënderuar drejtorin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mundësit që po jep në funksionalizimin e jetës kulturore e skenike në komunën e Vitisë, si dhe ka përmendur arritjet dhe puna që është bërë edhe nga aktorët e mëhershëm të teatrit amator të Vitisë dhe shfaqjet e realizuara.
Ndryshe, në këtë konferencë shtypi u bë e ditur se do të zhvillohet të premten një audicion me nxënësit dhe të rinjtë e interesuar që të angazhohen në teatër, të cilët edhe do të testohen para se të marrin përgjegjësit për rolet e shfaqjeve që pritet të realizohen në të ardhmen. /2L ONLINE/