Regjisorja e njohur, Arzana Kraja është gjetur e vdekur sot në banesën e saj në lagjen Kalabria në Prishtinë. Kraja ishte një nga regjisoret e njohura në Kosovë, njëri nga filmat e saj të fundit ishte filmi i metrazhit të gjatë “Fusha e mëllenjave”.
Kujtojmë se Arzana Kraja është vajza e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.
“Me datën 13.11.2019 rreth orës 09:08 policia ka pranuar një informatë, për një trup të pajetë në lagjen “Kalabria”, Prishtinë. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, përfshirë edhe ekipin mjekësor të emergjencës të cilët kanë konstatuar vdekjen e personit të gjinisë femërore”, thuhet në njoftimin e policisë.
E, lidhur me këtë ngjarje tragjike kanë reaguar edhe drejtuesit e Teatrit në Gjilan të cilët i kanë shprehur ngushëllime më të thella familjes Kraja, ndërkohë që në shenjë respekti, kanë anuluar një shfaqje e paraparë të luhej sot në Teatrin e Gjilanit.
“Në emër të të gjithë artistëve dhe stafit të Teatrit të Gjilanit, me rastin e vdekjes së regjisores Arzana Kraja, i shprehim ngushëllimet tona më të thella gjithë familjes Kraja dhe gjithë komunitetit artistik në këtë kohë të vështirë. Zemrat tona janë me familjen dhe të gjithë të tjerët. Në shenjë respekti, anulohet sot shfaqja e Teatrit të Gjilanit “Im atë donte Adolfin” e autorit Mehmet Kraja, regjia: Ilir Bokshi”, thuhet në njoftim.