“Të paprekshmit” gjejnë mbështetje te ligji dhe te mosinteresimi i kompetentëve për trajtim të tyre
/2L ONLINE/ – Qentë endacak në Gjilan t’i kap syri kudo. Dikur i vrisnin, si preventivë për t’u ruajtur jeta e qytetarit, por tani i mbron ligji, e për trajtim të tyre human, si strehimin e tyre në vende të caktuara, pastaj për vaksinimin e tyre, kastrimin, sterilizimin dhe matrikulimin, po nevojiten mjete, se projekte të tilla janë të kushtueshme, dhe për këtë duket se nuk ka ende gatishmëri.
Kohëve të fundit në Gjilan, qentë endacak kanë pushtuar hapësira të ndryshme. Ata sillen si “bossa’ kudo dhe në cilëndo pjesë, para komunës, zyrës së kryetarit, në mes të qytetit, në sheshe, afër shkollave, në treg….. Madje atyre nuk u pengon turma e njerëzve, u sillen edhe nëpër këmbë. Por, a paraqesin dhe sa paraqesin rrezik për qytetarët veçmas nxënësit, flet fakti se ka raste të shumta të raportuara në polici si shqetësime sa që ka detyruar policinë t’i adresohet edhe me shkresë Drejtorisë përkatëse në Komunë që të merren me këtë çështje, konformë përgjegjësive, sa nuk është bërë vonë, që të mos ndodh ndonjë rast tragjik dhe atëherë të merremi me pasojat.
Rreziku nga qentë endacak vije sidomos në orët e mëngjesit apo në mbrëmje dhe më të rrezikuarit janë nxënësit apo edhe kalimtarët, ata që shkojnë herët në punë, apo edhe kthehen vonë në shtëpitë e tyre.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka konfirmuar për Portalin 2LONLINE, se ka raste të raportuar nga qytetarë të shqetësuar nga prania e qenve endacak. Hashani ka thënë se Policia e Kosovës njësitet sektoriale nga stacioni policor i Gjilanit, kanë njoftuar lidhur me problematikën e qenve endacak që po sillen të lirë rrugëve të vendbanimeve, në hapësirat e oborreve shkollore…dhe se janë bërë problem i vazhdueshëm.
Hashani tha se ka raste të raportuar nga qytetarët, qoftë tek prestarët e këtyre njësiteve qoftë në stacionin e policisë dhe si shembull përmendi ankesën e pranuar nga ankuesit e fshatit Uglar apo edhe shqetësimet që janë ngritur nga ankuesit e fshatrave tjerë, duke bërë me dije se me këtë problematikë që është në rritje, nuk janë duke u ballafaquar vetëm ata në qytet, por edhe në fshatra dhe se në këtë mes më të atakuarit. janë nxënësit.
Portali 2L ONLINE, mëson se lidhur me këtë shqetësim të qytetarëve, policia u ka shkruar edhe institucioneve komunale, Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari e Zhvillim Rural, nga të cilët ka kërkuar që të merren me këtë çështje sepse është imediate gjetja e zgjidhjes, bazuar në kompetencat që i ka për trajtim të qenve endacak.
Mirëpo, duke iu referuar gjendjes aktuale që shihet në përditshmëri, deri më tani shihet se nuk ndërmarrë ndonjë hap për t’u zgjidhur ky problem, njëherë e mirë. Është kërkuar nga drejtoria përkatëse që këtë çështje ta trajtojnë shumë seriozisht gjersa nuk ka ndodhur ndonjë rast tragjik që pastaj të merremi me pasojat, në vend se të parandalohen.
Përndryshe, Komuna e Gjilanit ka pas periudha kohore kur ka trajtuar problemin e qenve endacak edhe në mënyrë humane, por se kjo ka qenë për një periudhë të caktuar kohore, pasi për të vazhduar në vazhdimësi, është nevojitur mbështetja financiare e projekteve të tilla që nuk ka ndodhë, për shkak të mungesës së mjeteve që do të ndaheshin për këtë çështje.. /2L ONLINE/



