(2LONLINE) – I bënë nderë secilit individ apo grupimi politik përcaktimi parimor që të përkrahë iniciativat dhe veprimet të cilat kanë për qëllim përmirësimin e kualitetit të jetës së njerëzve në të gjitha aspektet e saj. Në secilin vend normal veprimet e dobishme që janë në shërbim të qytetarit inkurajohen dhe përkrahen nga të gjithë, madje edhe nga përfaqësuesit e religjioneve aktive. Mbi këtë parim duhet të përkrahen protestat e studentëve para rektoratit të Universitetit Publik të Prishtinës, të cilat po shfaqin vetëm majën e “ajsbergut” të problemeve esenciale të sektorit të arsimit në Kosovë, e veçanërisht të atij universitarë.
Studentët protestues kanë shumë të drejtë në kërkesat e tyre për shkak të degradimit të vazhdueshëm që po i ndodhë këtij Universiteti që nga viti 1999 e deri sot. Me vite të tëra kudo nëpër kuluaret e shoqërisë sonë, kudo ku fjala publike nuk nënkuptonte konsekuenca për folësin është biseduar dhe është pranuar fakti se ky sektorë është në gjendje të rëndë. Janë të shumta arsyet që mbështesin këtë konstatim. Për shembull, mënyra sesi në vazhdimësi është angazhuar stafi akademik në Universitetin Publik të Prishtinës është një sekret publik që e njohin të gjithë qytetarët e Kosovës. Në emër të ndikimit politik shumë herë i është mbyllur rruga (ose nuk janë inkurajuar) për të sjellë dijen e tyre në Universitetin e Prishtinës kuadrove të reja me shkollime kualitative të bëra nëpër universitete prestigjioze botërore. Skandale të shumta të shitjes së notave nga profesorët për të cilat janë arrestuar njerëz që kanë qenë në lidhje me profesorë universitarë si dhe krijimi i tregut bastard për regjistrimin e studentëve në drejtime të ndryshme dhe veçanërisht në Fakultetin e Mjekësisë.
Është fat i keq që problemet strukturore në arsim të trashëguara dhunshëm nga regjimi serb prej përfundimit të luftës janë shndërruar në tipare strukturore, e të cilat po e përcjellin aktualisht arsimin universitar, duke u bërë edhe foleja e vetme për vegjetim të “dijetarëve” dhe “dinjitarëve” të shumtë universitarë, të cilët janë aty më së paku për arsye të kualiteteve profesionale që i posedojnë . Ky fenomen si duket ka përfshirë një numër të madh të mësimdhënësve sepse me gjasë ata që e instaluan këtë mënyrë të punës vepruan sipas maksimës: “trimi i mirë me shokë shumë”. Nuk është e rastit që janë të paktë ata profesorë universitar të cilët e pranojnë këtë gjendje dhe përkrahin protestat, e rrjedhimisht edhe fillimin e ndryshimeve në këtë universitet.
Iniciativa e studentëve është e guximshme, madje edhe e vonuar, mirëpo siç thotë populli: më mirë vonë , se kurrë! Ka zëra që thonë se mbrapa këtij aksioni qëndron një subjekt politik. Punë e madhe! Për një çështje të rëndësisë së këtillë “dreqin e të birin” do ta përkrahja dhe nuk do të dyshoja në qëllimin e mirë të tij. Nuk bën të lejojmë që niveli I arsimimit tonë dhe vlerat e tij të degradohen edhe më tej. Universitetin e Prishtinës nuk duhet ta lejojmë që të fundoset edhe me shumë në moçalin që e ka krijuar ky profil i “profesorëve” për shumë vite. A është mjaft u duhet thënë injorantëve dhe falsifikatorëve në këtë universitet? Nuk shkon më kështu… /2lonline/
Veton Nevzadi