/2L ONLINE/ – Thyhet për herë të tretë rekordi i Kolegjit turk “Mehmet Akif”, në garat e lëndës së kimisë, edhe atë, nga kush tjetër pos nga nxënësit e shkollës “Nazim Hikmet”, nga Dobërçani.
Në finale e madhe të garave në lëndën e kimisë, të cilat i organizon kolegji turk “Mehmet Akif” me lejen e MASHT-it, nxënësit e shkollës “Nazim Hikmet” nga fshati Dobërçan i komunës së Gjilanit, për herë të tretë radhazi kanë thyer rekordin, duke arritur që të triumfojnë në mesin e dymijë e pesëdhjetë pjesëmarrësve, e të rangohen në mesin e pesë vendeve të para në nivel të Republikës së Kosovës.
Falë punës së palodhshme të mësimdhënësit të lëndës së kimisë në këtë shkollë , Mr.Ilir Kastrati, i cili qe tri vite radhazi arrin ta thyej çdo parashikim të organizatorëve dhe pjesëmarrësve duke punuar për gjashtë muaj rresht mbas orarit të mësimit, me të vetmin qëllim që t’i përgatis nxënësit në mënyrën më të mirë të mundshme, pa kurrfarë kompensimi material.
Edhe në këtë vit, Kastrati, kishte përzgjedhur pesë nxënës përmes një testi të brendshëm të shkollës, dhe që nga 1 tetori i vitit 2014, rregullisht ka mbajtur mësim shtesë për të arritur një rezultat të tillë. Falë punës së palodhshme të nxënësve dhe drejtorit të shkollës Fadil Shabani, i cili në vazhdimësi ju ka krijuar kushte për punë, është arritur ky rezultat i përbashkët.
Në ranglistën e klasëve të 8-ta, shkolla e Dobërçanit është radhitur e para me mesataren e përgjithshme të të gjithë pjesëmarrësve, ndërsa në atë të klasëve të 9-ta, në vendin e dytë.
Në konkurrencën e klasëve të teta, rezultatet përfundimtare në nivel të Republikë së Kosovës janë si vijon:
Blerta Kryeziu – vendi i parë
Vlera Mustafa – vendi i dytë
Lorita Rahimi – vendi i pestë
Në konkurrencën e klasëve të nënta:
Shefqet Salihu – vendi i dytë
Edlira Miftari – vendi i katërt
Pra, nga 2050 pjesëmarrës, nxënësit e shkollës së Dobërçanit ishin në mesin e pesë nxënësve më të mirë të Republikës së Kosovës.
“Rezultatet dhe puna e Ilir Kastratit duhet të jetë shembull dhe model i të gjithë mësimdhënësve në komunën e Gjilanit dhe mbarë Kosovës, duke shpresuar që edhe Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan, por edhe Ministria e Arsimit e Kosovës, do të çmojnë dhe të i japin vendin e merituar këtij mësimdhënësi”, ka thënë nga ana e tij, Rexhep Arifi, mësimdhënës i kësaj shkolle dhe administrator ne faqen e facebook te shkollës. /2L ONLINE/.