Të jetosh larg vendlindjes dhe kthimi i mërgatës: mes mallit, përgjegjësisë dhe lidhjes që nuk shuhet!
Shkruan: Arlind Vokshi
Të jetosh larg vendlindjes do të thotë të mësosh ta ndash jetën në dy pjesë: atë që ndërton atje dhe atë që të mungon këtu. Malli nuk shuhet me vite dhe distanca nuk e fshin përkatësinë, sepse rrënjët nuk priten me kilometra dhe dashuria për vendin nuk matet me kufij, por me ndjenjë dhe kujtim.
Rrugëtimi drejt shtëpisë është i gjatë dhe i lodhshëm. Ju udhëtoni me shpresë e dëshirë, ne presim me ankth e durim. Ju kaloni orë e kufij, ne kalojmë net pa gjumë; ju vini me mall në zemër, ne ju presim me zemër në derë. Për ju është kthim, për ne është pritje; për ju rrugë, për ne lutje.
Ju presim me respekt dhe dashuri, por me një thirrje të sinqertë: mos e zvogëloni peshën e ardhjes suaj duke e reduktuar vetëm në votë. Vota është obligim qytetar, ndërsa familja është themel shoqëror. Vota është letër që hidhet një ditë, familja është jetë që ndërtohet çdo ditë.
Zgjedhjet kalojnë, jeta vazhdon. Ju ktheheni sërish në vendet ku punoni dhe jetoni, ndërsa ne përballemi çdo ditë me sfida reale dhe të heshtura. Ajo që nga larg duket stabilitet, nga afër shpesh është përballje. Ajo që në fjalë tingëllon mirë, në jetë shpesh rëndon.
Prandaj, mos u bëni pjesë e një entuziazmi të ndërtuar mbi manipulim. Ata që ju shohin vetëm si votë e jo si njeri, si numër e jo si histori, si mjet e jo si sakrificë, nuk ju respektojnë. Vota ka kuptim vetëm kur është vendim i lirë, jo emocion i dirigjuar; kur është mendim i pjekur, jo duartrokitje e përkohshme.
Miresevini në shtëpitë tuaja! /2LONLINE/
