Të jesh student!

Të jesh student!

Po e filloj këtë shkrim me një fjalë që tanimë, fatkeqësisht, është bërë e njohur për të gjithë: “Po jetojmë në një kohë ku të jesh student është më shumë trend, se sa krenari dhe privilegj për atë degë apo lami të caktuar që vendosë ta studiosh”.

Doruntinë Ferati

Mendoj që koha e studimeve është koha më e veçantë për secilin nga ne, edhe për mua, sepse jam vetë studente dhe e njohë shumë mirë kënaqësinë dhe ndjesinë që ta jep kjo periudhë kohore.

Është koha e marrjes së shumta të njohurive, shkëmbimit të ideve dhe mendimeve në mes kolegëve, me një fjalë mendoj që është koha ku personi nuk duhet të lejojë t’i ikë asnjë sekondë nga dora, pa mësuar diçka të re.

Por çka?! Tek ne, pra në vendin ku ne jetojmë, në Kosovë, edhe pse kemi me qindra e mijëra studentë dhe studente të kalibrit të lartë, studentë me inteligjencë mahnitëse, shpesh herë kjo periudhë pikërisht këta studentë i njofton me sakrifica të ndryshme, duke filluar nga kushtet që i ofron vendi jonë deri tek shpërblimi i studentëve për punën që ata e bëjnë me vite.

Në periudhën e studimeve jo gjithkush është afër familjes së tij, pra, ndryshon shoqëria, rrethi e shumëçka tjetër. Deshe apo s’deshe, në moment që pranon të jesh pjesë e një rrethi shoqëror, duhet t’i përshtatesh rregullave dhe principeve të personave që do të kalosh mbi tri vite studime.

Shpesh liria që jepet nga ana e prindërve di edhe të keqpërdoret, dhe si pasojë e kësaj, janë pikërisht prindërit që do e vuajnë më së shumti lirinë e tepërt dhe të pakontrolluar që u japin fëmijëve të tyre, duke menduar që ata një ditë do të kontribuojnë në shoqërinë tonë.

Nuk jam kundër lirisë që u jepet, por kur kjo liri të mos dijë të kontrollohet më, atëherë veset dhe shprehitë e këqija patjetër që do të jenë prezentë!

E kam parasysh edhe faktin që koha e studimeve do sakrificë, mundë e lodhje, sepse një rrugë drejt suksesit vështirë është të mos jetë pa ngecje të ndryshme, por jam e bindur që nëse një ditë arrijmë të kapim atë qëllim që ia vëmë vetës tonë, pikërisht atëherë do e shohim se ja vlen çdo sakrificë.

Lutja apo thënë më mirë, kërkesa ime drejt kolegëve të mi, është e thjeshtë: “Të mos e lëmë të na shkojë dëm asnjë minutë, të mos e keqpërdorim lirinë dhe kohën si dhe të jemi këmbëngulës në objektivat dhe qëllimet tona”.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE