Shkruan: Naser BERISHA
(2L ONLINE) – Disa herë gjate historisë populli shqiptar është vënë para kësaj pyetje dhe, në fund gjithmonë e ka gjetur zgjidhjen, e unë jam i bindur se edhe kësaj radhe zgjidhja do të gjendet.
Në gjendjen që jemi për momentin si shoqëri dhe si komb, pyetja se a të merresh apo jo me zhvillimet politike nuk është çështje profesioni, por ekzistence, sepse u more apo jo me politiken, së fundmi ajo merret gjithsesi me ty. Çdo vendim i qeverise (pra politikes) ka të bëjë në një mënyrë apo tjetër, me jetën tende dhe ardhmërinë e fëmijës tuaj.
Autobusët drejt emigrimit nuk janë zgjidhja, autobusët janë një dhimbje me shumë, nëse ti ik nga problemi, problemi nuk zgjidhjet! Zgjidhje është kur ti përballesh me sfidën, deri në gjetjen e një zgjidhje. Drejt zgjidhjes pos zgjedhjeve shërbejnë edhe revoltat shoqërore, si metodë e njohur në botën demokratike. Prej pas luftës e këndej tek ne kurrë nuk kemi pasur nevojë me shumë për protesta, pra revolte qytetare, se sa sot.
Deklarimet verbale dhe apel për mos emigrim nga ana e qeverisë, janë me shumë se sa vetëm tallje me popullin, kur ta kemi parasysh se ata janë po të njëjtit, të cilët pak muaj më parë premtonin 200 e 300 mije vende pune, por sigurisht se gjatë fushatës zgjedhore kishin harruar një detaj të vogël, të na thonë se ato vende të premtuara “pune” nuk i kishin në mendje ti realizonin në vendlindje, por se ato “gjenden” diku gjetiu, zaten në kampet e Hungarisë dhe nën urat e Francës.
Por, realiteti është ky, çdo qeveri (edhe ato me demokratiket) gjithmonë provojnë kufijtë se deri ku munden të shkojnë, bile sikur të kishin mundësin shumica nga ato (edhe në shtetet perëndimore) do të përshtatnin sistemin sipas prirjes së tyre, por popujt atje me vetëdije më të lartë kolektive, nuk e lejojnë një gjë të tillë, dhe protestat shërbejnë si formë korrigjuese, dhe një lloj katalizatori gjithandej nëpër këto shtetet demokratike. Ato janë më se legjitime, nëse populli mendon se është duke u qeverisur keq dhe kundër vullnetit të tyre.
Këtu dua të nënvizoj se votimi dhe protestat janë mekanizmat e vetëm që i posedon populli, dhe sa herë që një pjesë të shoqërisë e shohin të nevojshme, duhet që ti përdorin ato. Protestat në Bashkimin Evropian janë shumë herë me te shpeshta, masovike dhe shpesh edhe më të dhunshme se sa ne i kemi parë tek ne. Dhe për “çudi” askujt nuk i shkon mendja që në vlerësimin e tyre ta përmend imazhin dhe as dëmet materiale të rastit, sepse tek e fundit çdo e mirë materiale që është ndërtuar në atë shtet, është ndërtuar edhe nga taksat e po atyre protestuesve! Pra, në një mënyre edhe protestuesi është bashkëpronar i asaj të mire të përbashkët.
Një shembull për ata që aq shumë i vajtuan ata xhama e thyer, sipas logjikës (pa logjike fare) të tyre, i bie se edhe UCK nuk është dashur ta fillonte luftën për liri, sepse përveç vrasjeve eventuale, mund të digjeshin edhe pronat dhe të shkatërrohej pasuria ekzistuese si mjet apo pasoje e luftës! Por, liria është gjëja e vetme e cila nuk ka çmim. Unë e di se ky krahasim mund të cilësohet skajshmërisht cinik, por qëllimisht shkova në ekstremin krahasues, për ta kuptuar esencën se nëse një njeri e ndien vetën dhe dinjitetin e tij të shkelur, e ka të drejtën për protestë deri në realizimin e të drejtave të tija legjitime.
Në këtë kontekst vlen kjo thënieje: “Mjerimi shpirtëror i një njeriu është, kur fjala LIRI mbetet vetëm sinonim i thithjes se oksigjenit”.
Përderisa ata, pra pushteti i kanë siguruar jetën edhe stërnipërve të tyre përmes tenderëve, në emrin e tezeve e hallave të veta, në kurriz të popullit, është një shumice tjetër, të cilët as bukën e gojës nuk e kanë të siguruar!
Më mire një fund me dhimbje se sa një dhimbje pa fund
Kjo do të duhej të ishte motoja e protestave në vijim, në të kundërtën qytetari i Kosovës do të vuaje deri në pafundësi! Një kohë të gjatë jetuam me shpresën për një dite më të mire, por tani kur pushtetarët na vodhën shpresën dhe ëndrrat, shpresa e fundit mbetet sheshi!
Për ta kuptuar funksionimin e rendit botërorë nuk duhet te jesh ndonjë ekspert i fushës ( e që as unë nuk jam) por mjafton që të lexosh dhe te informohesh për mënyrën dhe funksionimin e rendit botëror, kurse për këtë duhet të jesh në gjendje që ti kuptosh dy gjëra:
1. Në mes shteteve nuk ka miqësi, por ka vetëm interes
2. I forti ka gjithmonë me shumë të drejt se sa i dobëti.
Një shembull shumë i thjeshte për pikën e pare, na tregon spiunimi i pafund ne mes te shteteve “mike” p.sh. rastet e fundit në mes dy shteteve shumë “mike” SHBA-Gjermani, sidomos spiunimi ekonomik, e që përmes saj fitohet përparësia ekonomike dhe ushtarake e rrjedhimisht me pas edhe ndikimi dhe fuqia politike!
Tek rasti i dytë i referohem shembullit se “historinë e shkruan i forti”.
Shteti demokratik dhe sovran
Në definicionin për shtetin DEMOKRATIK dhe SOVRAN thuhet kështu: Një shtet nuk mund të quhet demokratik dhe sovran, dhe se zgjedhjet demokratike nuk kanë vlere, nëse një autoritet nga jashtë mundet të qëndron mbi rezultatin zgjedhor dhe mbi të zgjedhurit, e nëse kjo merret si e mirëqenë tek ne, del se ne nuk jemi as shtet demokratik e as sovran.
Dy shembuj tipik që mund të merren tek në Kosovë (e për të cilat të gjithë ne që jetojmë në këtë kohë jemi dëshmitare të gjallë), janë zgjedhja e “Presidentes” dhe vendimi çdo 3-4 vite se kush me kënd guxon dhe duhet të qeverise.
Pra, nëse nuk jemi shtet demokratik dhe sovran, populli jo vetëm që ka të drejt, por e ka obligim që ta ruaj demokracinë dhe shtetin, sepse vete fjala: “Demo” – popull- shteti, dhe “Kratie” – sundim (sundim i shtetit nga populli) na obligonë për këtë.
Kur e përmenda me lartë çështjen se nuk ka miqësi në mes shteteve, por ka vetëm interes, ajo bartet nga subjektiviteti i një shteti, i cili ka interesa gjeo-strategjike dhe ekonomike, dhe vazhdon me pas edhe deri tek personat fizik, siç është puna e ambasadoreve, ku tek ne, në shumicën e rasteve marrin vendime personale, në emër të qeverive përkatëse, dhe nëse përfitimi i tyre personal nuk bie ndesh me interesat e shtetit që ata përfaqësojnë janë gjithsesi të mirëseardhura.
Shihe shembullin e Dell-it, për të cilin kemi folur shumë më parë, dhe që dihej botërisht për intervenuat e tija, me qëllim të përfitimit personal, por askush nuk donte ti dëgjonte zërat kritik, deri sa tani vete gazetaret e shtetit të tij, e bën publike konfliktin e interesit dhe keqpërdorimet gjatë kohës kur ai shërbente në Kosovë, sepse besimi nga shumica e popullatës tek “miqtë” tanë ishte i verbër, dhe ky besim i kushtoj goxha shtrenjtë taksapaguesit, ku ne vend se me ato te holla te sigurohet një zhvillim ekonomik dhe mirëqenia sociale e qytetareve, ato mjete u derdhën në asfalt, dhe ne një të ardhme jo shumë të largët planifikohet ti jepet një firme private me koncesion.
Një nga shkrimtarët e mëdhenj amerikan me prejardhje gjermane Charles Bukowski thotë: “Problemi me botën është se njerëzit inteligjent janë plot me dyshime, kurse ata budallenjtë janë plot besim”!
Nëse nisemi sipas thënies: “Çdo popull e ka qeverinë të cilën ai e meriton”, atëherë se paku tani të tregojmë, se ne nuk jemi as të pa dijshëm dhe as pa dinjitet, pra reaksioni më normal dhe më natyrorë janë protestat, dhe atë me një fuqi të paimagjinueshme për pushtetarët , që një herë e përgjithmonë ta kuptojnë se edhe durimit ndaj padrejtësive në emër të stabilitetit, një ditë i vije fundi.
Besimi i pafund dhe i verbër, ti vret shpresat dhe të ardhmen, (edhe në kuptimin e plotë të fjalës).
Pra, dita është e Mërkure kurse vendi është tek sheshi, dil dhe kërko drejtësi e dinjitet sot, qe nesër mos të turpërohesh nga fëmija yt.
Ta ndërtojmë shtetin i cili formalisht është shpallur, por realisht kurrë nuk ekzistojë. /2L ONLINE/