Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se agjenda evropiane e Kosovës është në rrugë të mbarë, pasi që të hënën fillon negocimi zyrtar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.
“Tani Kosova është futur në rrugën e sigurt drejt anëtarësimit të plotë në BE. Ky moment kërkon reflektim nga ana jonë dhe është përgjegjësi shtesë që ritmi i punës të jetë edhe më i shtuar dhe përkushtimi asnjëherë të mos mungojë”, tha Thaçi në takimin e përbashkët të Komitetit Drejtues për Liberalizimin e Vizave dhe Ekipit Negociator për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.