Të gjithë flasin për demokraci, por atë e duan deri në momentin kur nuk përplaset me interesin e tyre!
Shkruan: Sebastian Sinani
Kosova sot nuk po e jeton një garë politike, po jeton një teatër politik. Skena është ngritur, aktorët kanë hyrë në rol dhe publiku po detyrohet të shohë të njëjtën shfaqje me fytyra të ricikluara, me role të ndërruara dhe me skenarë që ndryshojnë vetëm në emra, por jo në përmbajtje.
Polarizimi ka arritur pikën ku kundërshtari politik nuk trajtohet më si rival me ide të tjera, por si armik që duhet eliminuar nga skena publike. Debati është zëvendësuar me sharje, argumenti me propagandë, ndërsa përgjegjësia me viktimizim politik. Të gjithë flasin për demokraci, por secili duket se e do demokracinë vetëm deri në momentin kur ajo nuk përplaset me interesin e tij.
Edhe më shqetësues është raporti me drejtësinë dhe institucionet. Shteti ligjor fillon të dobësohet kur politikani mendon se ligji vlen për të tjerët, por jo për të. Precedenti më i rrezikshëm i viteve të fundit ishte normalizimi i idesë se institucionet mund të sfidohen sipas interesit politik. Kjo nisi të shihej qartë gjatë qeverisjes së Kryeministrit Kurti, ku përplasjet me institucionet dhe mospranimi i disa proceseve u shndërruan në instrument politik. Sot po shihet se të njëjtën rrugë po e ndjekin edhe të tjerët. Sepse precedenti është si dera e hapur, sapo ta hapësh, nuk mund të vendosësh më kush hyn dhe kush del.
Ngjarjet e fundit në Skenderaj janë një pasqyrë e qartë e kësaj gjendjeje. Një përplasje fizike mes një figure politike dhe një zyrtari partiak qeveritar nuk është më vetëm incident mes individësh, ajo bëhet simptomë e gjendjes politike në vend. Më pas vijnë tensionet, shtimi i pranisë së forcave të sigurisë, reagimet dhe protestat e banorëve. Dhe pyetja që lind natyrshëm është: si arritëm deri këtu? Si u bë normale që politika të prodhojë përplasje, e jo zgjidhje? Si u bë e zakonshme që tensioni politik të bartet në rrugë dhe qytetari të ndihet sikur po jeton brenda një krize të përhershme?
Ndërkohë, cirku elektoral është në vlugun më të madh. Riciklime, aderime, katapultime, “sakrifikime” të mëdha për kinse interesin e popullit, kalkulime të ftohta dhe kërcime “Opa’ nga një tabor në tjetrin.
Njerëz që deri dje akuzonin njëri-tjetrin për tradhti, korrupsion e dështim, sot përqafohen para kamerave me buzëqeshje patriotike.
Në pazarin politik po nxirret gjithçka, partia, historia, bindjet, parimet dhe çdo fjalë e thënë dje.
Pyetja nuk është më se çfarë po bëjnë politikanët. Ata po bëjnë atë që kanë bërë gjithmonë, po luftojnë për pushtet. Pyetja e vërtetë është: çfarë do të bëjnë qytetarët? Sepse heshtja është gjithashtu votë, vetëm se zakonisht përfituesit e saj nuk janë qytetarët. /2LONLINE/
