Të angazhuar në mirëmbajtjen e rrugëve dhe hapësirave publike edhe në fshatra
Punëtorë të Ndërmarrjes Publike Lokale “Tregu”, janë të angazhuar në mirëmbajtjen e rrugëve dhe hapësirave publike edhe në fshatrat e komunës së Gjilanit.
Nga menaxhmenti i NPL “Tregu”, thuhet se punëtorët e angazhuar po kujdesen për pastërtinë përgjatë rrugëve. Ndërkohë shqetësimi i tyre i vetëm dhe i arsyeshëm është papërgjegjësia e disa vozitësve, të cilët gjatë lëvizjes me automjete hedhin qese me mbeturina, kanaçe apo pako cigaresh nga dritaret e automjeteve.
“Prandaj, apelojmë te të gjithë qytetarët dhe veçanërisht te drejtuesit e automjeteve që të tregojnë më shumë përgjegjësi dhe kulturë qytetare. Krahas ruajtjes së ambientit, le të tregojmë edhe respekt për punën e këtyre punëtorëve të palodhshëm, të cilët çdo ditë kujdesen për pastërtinë e hapësirave tona dhe përballen me pasojat e sjelljeve të papërgjegjshme”, thuhet në njoftimin e NPL “Tregu”. /2LONLINE/
