Taulant Xhaka ka veshur fanellën e kombëtares shqiptare të futbollit dhe të dielën pritet të debutojë kundër Portugalisë. Para këtij takimi Xhaka ka mohuar se Shqipëria ishte zgjedhja e dytë, pas injorimit që i ishte bërë nga Zvicra.
23-vjeçari në një prononcim për “SuperSport” ka siguruar tifozët se nuk kishte pasur kurrë dyshime mbi kombëtaren që do të përfaqësonte, edhe pse në të kaluarën kishte luajtur me të gjitha kombëtaret e moshave të Zvicrës.
“Nuk është e vërtetë. E kam thënë që në fillim se dua të luaj për Shqipërinë. Edhe Gashi me ka thënë shumë përshtypje të mira për kombëtaren. Nuk kam pasur shumë kohë për t’u menduar dhe i kam thënë “po” ftesës së Shqipërisë”, ka thënë Xhaka.
Ai ka thënë se lajmet në mediat zvicerane nuk kanë ndryshuar aspak sjelljen ndaj tij të grupit kuqezi.
“Deri tani janë përshtypjet më të mira, më kanë pritur në mënyrë perfekte. Edhe trajneri më ka pritur shumë mirë dhe shpresojmë që të na eci mirë puna të dielën”.
Taulant Xhaka u pajis me pasaportën shqiptare që më 18 dhjetor të vitit 2013, por leja e tij për t’u aktivizuar me Shqipërinë nga FIFA erdhi më 25 qershor 2014.