Tani është koha për qëndresë!
Shkruan: Arlind Vokshi
Deri sot kemi protestuar, kemi folur dhe kemi kërkuar. Por pas aktgjykimit të 16 shtatorit 2026 ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në Dhomat e Specializuara në Hagë, nuk mjafton më një deklaratë politike.
Tani kërkohet veprim konkret shtetëror.
Qeverisë i kërkojmë urgjentisht të ndërmarrë çdo hap që është në kompetencën e saj për mbështetjen juridike dhe institucionale të ish-krerëve të UÇK-së dhe të procedojë çdo nismë ligjore përkatëse. Kuvendit i kërkojmë ta trajtojë këtë çështje me prioritet dhe deputetët të japin përgjigje përmes veprimit dhe votës.
Por nuk mjafton vetëm kaq.
Kërkojmë strategji shtetërore juridike dhe diplomatike, ekip ndërkombëtar juristësh, dokumentim profesional të luftës së Kosovës, diplomaci aktive dhe fonde të qëndrueshme për mbrojtjen e të drejtës dhe të vërtetës historike.
Nëse institucionet nuk japin përgjigje konkrete, protesta duhet të përshkallëzohet paqësisht, në mënyrë të organizuar dhe brenda ligjit: tenda, prani e vazhdueshme qytetare dhe kërkesë e pandërprerë për përgjegjësi.
Kjo nuk është vetëm për katër emra. Është për çlirimtarët tanë, për luftën tonë, për sakrificën e popullit, për shtetin tonë dhe për historinë tonë.
Për çlirimtarët — qëndrojmë.
Për luftën — nuk heshtim.
Për shtetin — kërkojmë veprim.
Për historinë — kërkojmë të vërtetën.
