DYLON

“Talia…” vazhdon me shfaqjen “Shembja e Kullës së Ajfelit”

Avatar photo Redaksia

(2LONLINE) – Natën e tretë të Festivalit të Dramës Shqiptare “Talia e Flakës”, që po mbahet në Gjilan, është prezantuar Qendra Multi-Media e Prishtinës me shfaqjen “Shembja e Kullës së Ajfelit”, e autorit Jeton Neziraj, me regji të Blerta Nezirajt dhe lojën skenike të aktorëve Shengyl Ismaili, Ardian Morina, Ernest Malazogu e Armend Ismajli.

“Shembja e Kullës së Ajfelit” është një dramë ku rrëfehet historia e çuditshme e një evropiani, i cili kidnapohet nga dy terroristë islamë, për shkakun se ai këmbëngul që t`ua heq mbulesën nga koka grave myslimane në Paris.

EkoHigjiena

“Shembja e Kullës së Ajfelit” në të vërtetë është një alternativë për fiksimin ndaj mbulesës dhe hap debatin për një çështje shumë thelbësore mbi nevojën që ta njohësh dhe kuptosh dramën e tjetrit.

Ngjarja zhvillohet në disa vende e rrethana të ndryshme, që prej Parisit bashkëkohor, në Perandorinë Osmane të vitit 1842, në Ballkan, e deri në Pakistan.

“Shembja e Kullës së Ajfelit”, është ndër shfaqjet më të mira që janë dhënë deri tani në festivalin “Talia e Flakës” në Gjilan.

Festivali “Talia e Flakës” vazhdon me shfaqjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës “Dëshmitari” e autorit dhe regjisorit Selami Taraku, për t`u përmbyllur të premten në mbrëmje me Teatrin Metropol të Tiranës, që vjen me shfaqjen “Tri mendje në ankand”, e Ferdinand Hysit dhe regji të Elma Doresit.

Dy netët paraprake janë dhënë shfaqjet “Zonja me maskë” e Teatrit të Gjilanit, e autorit Osman Goranci, me regji të Fatmir Hysenit si dhe “Gishti” i Teatrit Shqiptar të Shkupit, nga Doruntina Basha, me regji të Agon Myftarit.

Të pesë këto shfaqje janë në konkurrencë për çmimet e Festivalit, të cilat i ndahen në bazë të vlerësimit të jurisë profesionale, në përbërje: Rajmonda Bulku, Jahi Jahiu e Aurita Agushi, në përmbyllje të kësaj pjese të manifestimit kulturor “Flaka e Janarit”, që është njëra ndër shtyllat kryesore të tij. /2lonline/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.