DYLON

“Talia…” përmbyllet me shfaqjen “Inspektor Limi”, vendimet e jurisë për çmimet e Festivalit publikohen nesër

“Talia…” përmbyllet me shfaqjen “Inspektor Limi”, vendimet e jurisë për çmimet e Festivalit publikohen nesër
Avatar photo Redaksia

Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës” që po mbahet në kuadër të manifestimit ‘Flaka e Janarit 2022”, u përmbyll sonte me komedinë “Inspektor Limi”, nga Lirak Çelaj, me regji të Florent Mehmetit, prodhim i Teatrit Oda, ndërsa siç u tha nga organizatori, çmimet e parapara për këtë edicion të këtij Festivali, do të bëhen publike nesër në mesditë, nga juria vlerësuese e përbërë nga: Arian Krasniqi, dramaturg dhe Shkurte Aliu e Elmaze Nura, regjisore.

Në fakt, Festivali i sivjetmë “Talia e Flakës”, ka qenë skajshmërish i reflektuar prej situatës pandemike në vendin tonë dhe masat anticovid të ndërmarra nga institucionet përkatëse, të cilat kanë bërë që, tri nga gjashtë shfaqjet e parapara, të anulohen dhe të mos mund të shfaqen para publikut artdashës të Teatrit të Gjilanit.

EkoHigjiena

Përgjatë festivalit u dhanë shfaqjet: “Viganët” me tekst të Visar Krushës e regji të Ilir Bokshit, u paraqitën aktorët e Teatrit të Gjilanit. Shfaqja “Aroma e Hënës” me skenar të Mehmet Krajës e regji të Rozi Kostanit, luajtën aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës.  Shfaqja “GOF” nga Anton Pashku, me  dramaturgji e regji të Shkëlzen Berishës. Luajtën aktorët e Teatrit Metropol nga Tirana.

Shfaqja “5 ditë mbret”, e Teatrit “Andon Zako Çajupi” nga Korça nuk mundi të vije për shkak të masave të reja anticovid, ndërsa shfaqjet “Marksistët e Leninistët e Zvicrës” – Teatri “Adriana” nga Ferizaj dhe shfaqja “Stiffler” prodhim nga “Integra”, u anuluan pasi ndonjëri nga pjesëtarët e këtyre trupave teatrore kishte rezultuar pozitivë me Covid-19.

Sidoqoftë, organizatori u përkujdes që publikut mos t’i mungojnë shfaqjet në netët përkatëse dhe ato u zëvendësuan me reprizën e shfaqjes “Viganët”, si dhe komeditë “Hollyshit” dhe “Inspektor Limi”.

Përndryshe, Juria profesionale e manifestimit të sivjetmë e përbërë nga emra të artit skenik, Arian Krasniqi, dramaturg dhe Shkurte Aliu e Elmaze Nura, regjisore, ka përcjellë të gjitha shfaqjet, dhe është bërë e ditur se vendimi për nëntë çmimet e Festivalit do të bëhen publike nesër në mesditë, e siç dihet trupat teatrore dhe artistët garojnë për këto çmime: Kostumografia më e mirë, skenografia më e mirë, aktorja më e mira në rol dytësor, aktori më i mirë në rol dytësor, aktorja më e mirë në rol kryesor, aktori më i mirë në rol kryesor, regjia më e mirë, shfaqja më e mirë dhe teksti më i mirë.

Kur jemi te shfaqja përmbyllëse e Festivalit, komedia “Inspektor Limi”, prodhim i Teatrit Oda,  ishte e tillë sa për mbi 60 minuta sa zgjati, me humorin e lehtë në të, ka kënaqur publikun e shumtë në sallë, sidomos loja e aktorëve: Adrian Morina, Nëntor Fetiu, Kushtrim Sheremeti, Kastriot Grajqevci, Daniela Markaj dhe Lirak Çelaj.

Ngjarja ishte e fokusuar në një kafene lagjeje, ku klientët e zakonshëm përfshijnë një shkencëtar që pretendon të ketë zbuluar makinën e kohës, por që askush nuk beson; pronari i kafenesë, një diler i drogës i cili imponon e tmerron dy të parët, një gënjeshtar patologjik dhe nëna e tij me të cilën ka një marrëdhënie posesive, kamarierja e cila ka aspirata për muzikë moderne e cila vetëm muzikës nuk i ngjan dhe agjenti i fshehtë i antidrogës, Inspektor Limi.

Inspektor Limi ndikon si katalizator i ngjarjeve që zbërthejnë anën e fshehtë të këtyre karaktereve, të cilët deri më tani kuptojmë se janë fshehur pas roleve të tyre, duke pasur misione të fshehta dhe kontradiktore me karakterin e tyre parësorë, duke shkaktuar një transformim të papritur për publikun, që në fund i shpërbleu me duartrokitje të gjata.

Përndryshe, përveç që nesër do të bëhen të ditur fituesit e çmimeve të festivalit “Talia’, aktivitetet e Manifestimit “Flaka e Janarit 2022”, do të vazhdojnë deri më 31 janar, ku sipas programit, janë të parapara aktivitetet muzikore, Festivali i këngës për fëmijë (29 janar, ora 17:00) dhe i muzikës popullore (31 janar ora 19:00 ) si dhe ajo letrare, Ora e Madhe Letrare (31 janar, ora 16:00). /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.