“Talia e Flakës” të hapet nga aktori më i vjetër i qytetit

“Talia e Flakës” të hapet nga aktori më i vjetër i qytetit

“Flaka e Janarit” është ndër aktivitetet më të rëndësishme në nivel kulturor dhe kombëtar. Ajo nisi si rezistencë kulturore ndaj asimilimit që e synonte regjimi jugosllav.

Shkruan: Flurim Arifi

Flaka e Janarit u bë “zjarr” i ndezjes së rezistencës kulturore për të mbrojtur gjuhën shqipe, këngën shqipe, teatrin shqip, dramën shqipe, poezinë shqipe, vallen shqipe. Flaka e Janarit, prandaj meriton një respekt të jashtëzakonshëm edhe në kujtesën kolektive të dhembjeve nga shtypja jugosllave e serbe.

Flaka e Janarit është edhe në muajin e të rënëve, heronjve, dëshmorëve dhe shumë ngjarjeve të cilat kanë pasur rëndësi të madhe në lëvizjen përpara të idesë së çlirimit, lirisë dhe pavarësisë.

Flaka e Janarit është manifestim kulturor, që duhet të bëhet pjesë e kalendarit zyrtar shtetëror të Kosovës dhe të kalojë ndoshta nën patronatin e kryeministrit të Kosovës. Sivjet u bë sërish temë vështirësia financiare e mbajtjes së këtij aktiviteti.

Komuna e Gjilanit, përtej komunikimit përmes televizionit, duhet të sillet si partner serioz e të intensifikojë komunikimin me Qeverinë dhe të sigurojë qëndrueshmëri më të madhe financiare për këtë manifestim mbarëkombëtar.

Po ashtu, për Flakën e Janarit mund të nxiten sikur për DokuFestin në Prizren, vullnetarë të rinj që ndihmojnë në procesin e organizimit, të bëhen edhe donacione shtesë nga njerëz të vullnetit të mirë, pasi që aktivitete të tilla meritojnë mbështetje masive nga të gjithë, pavarësisht se në radhë të parë, mbështetësi kryesor duhet të jenë: Komuna dhe Qeveria.

Në edicionin e këtij viti, në fushën e dramaturgjisë kombëtare, Flaka e Janarit u nis me shfaqjen e mrekullueshme “I ligu për mend”, ku u mirëprit shkëlqyeshëm nga publiku loja dhe interpretimi i Luan Jahës, Ernest Malazogut dhe të gjithë aktorëve të tjerë. Na kishte munguar për kohë të gjatë edhe gegërishtja e përpunuar aq mirë nga i madhi i letrave shqipe, Gjergj Fishta, e të tjerë.

Por duhet dhënë disa vërejtje për të mërkurën mbrëma:

– “Talia e Flakës” si Festival i Dramës Kombëtare, të hapet nga aktori më i vjetër i qytetit, e jo nga Kryetari i Komunës. Kjo do ta nderonte jo vetëm kontributin e aktorëve, por edhe në aspektin e vlerave, do të ishte mesazh sesa shumë komuna dhe shoqëria ka respekt për aktorët;

– Të ketë më shumë frymë të Flakës së Janarit në tërë qytetin, e jo vetëm brenda hapësirës së Teatrit dhe para objektit, por në shumë pjesë të mbretërojë atmosfera kulturore, sikur për festivale të ndryshme që mbahen kudo në botë dhe e merr vesh krejt qyteti se diçka po ndodh kulturalisht dhe kombëtarisht në qendër të qytetit…

Shihemi në shfaqjet e radhës!

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE