Takojnë delegacionin e kongresistëve amerikanë

Takojnë delegacionin e kongresistëve amerikanë

Shefja e Grupit Parlamentar të NISMA për Kosovën, Valdete Bajrami, së bashku me shefat e Grupeve Parlamentare të subjekteve tjera politike në Kosovë, është takuar sot me delegacionin e kongresistëve amerikanë, të udhëhequr nga z. Peter Roskam dhe z. David Price.

Delegacioni i kongresistëve amerikanë gjatë këtij takimi thanë se ky është rasti i parë që anëtarët e Kongresit udhëtojnë jashtë ShBA-së pas betimit të bërë muajin e kaluar. “Kosova është ndalesa jonë e parë. Kjo ndodh sepse ky vend është shumë i rëndësishëm. E gjithë bota i ka sytë kah Kosova dhe e gjithë bota po punon për Kosovën në njëfarë forme. Ne padyshim se jemi. Ne besojmë se një Kosovë stabile, ku janë të përfshira të gjitha palët qeverisëse, është ajo Kosovë që ne e dëshirojmë”, bëhet e ditur nga njoftimi i Grupit Parlamentar të NISMA-s për Kosovën.

Më tej, bëhet e ditur se po ashtu kongresistët amerikanë gjatë këtij takimi kanë kërkuar që për çështjet politike me interes nacional të ketë sa më shumë unitet dhe bashkëpunim mes gjithë spektrit politik në Kosovë.

Në këtë takim është folur edhe për situatën politike në Kosovë. Në lidhje me situatën politike në vend, shefja e GP NISMA, Valdete Bajrami, ka thënë se situata politike në vend nuk është ashtu siç do dëshironim të ishte, për faktin se gjatë këtij mandati, kësaj legjislature i ka munguar konsensusi dhe uniteti, sidomos në rastet kur kemi pasur të bëjmë me çështjet nacionale, si psh; Demarkacioni me Malin e Zi dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Shefja e GP NISMA, Valdete Bajrami, në lidhje me këto dy marrëveshje ka thënë se NISMA nuk e ka mbështetur çështjen e Demarkacionit për faktin se është dëshmuar nga ekspertët se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje rrezikohet t’i humbin mbi 8 mijë hektarë, ndërsa sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka theksuar se marrëveshja për Asociacionin rrezikonte shtetësinë e Kosovës, pasi që një Asociacion i tillë parashihte të kishte kompetanca ekzekutive, dhe kjo për Nismën ishte e pa pranueshme. Po ashtu, në lidhje me këtë marrëveshje, Gjykata Kushtetuese, në Dhjetor të vitit 2015, del me vendimin se ky Asociacion ishte në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Kosovës, në plotë 23 nene të saj.

Shefja e GP NISMA, Valdete Bajrami, në fund të fjalës së saj, ka falënderuar delegacionin e kongresistëve amerikanë, të kryesuar nga z. Roskam dhe z. Price, dhe ka kërkuar që mbështetja e ShBA-së, të vazhdoj edhe më tutje në shtetndërtimin dhe demokratizimin e institucioneve në Kosovë.

KOMENTE