DYLON

Takohen Haziri e Kosumi, bisedojnë për prosperitetin dhe zhvillimin e Universitetit “Kadri Zeka”

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, ka pritur sot në takim rektorin e Universitetit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, ku është biseduar për nevojat e zhvillimit të Universitetit, në veçanti për rolin e Komunës në ndërtimin e kampusit universitar dhe të gjitha programeve të tjera.

“Është kënaqësi dhe nderë i veçantë për Komunën që sot e kemi për vizitë rektorin e Universitetit “Kadri Zeka” dhe ish-kryeministrin e Kosovës, Bajram Kosumi. Biseduam lidhur me nevojat e zhvillimit të Universitetit, në veçanti për rolin e Komunës në ndërtimin e kampusit universitar dhe të gjitha programeve tjera që janë në interes të zhvillimit ndhe mundësive për të rinjtë dhe të rejat e Komunës së Gjilanit për të studiuar, niveli i studimeve dhe të gjitha kushtet që domosdoshmërisht duhet t’i organizojë edhe Komuna edhe Rektorati i Universitetit”, ka thënë pas takimit kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri.

EkoHigjiena

Nga ana e tij, rektori i universitetit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, pasi ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen, ka thënë se në takim është biseduar si mund t’i shtyejnë përpara disa projekte të rëndësishme.

“Ishte kënaqësi që të vazhdojmë bisedat me kryetarin Haziri për funksionimin e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, i cili është një mundësi e madhe që duhet ta përdorim dhe ta shfrytëzojmë për të mirën e shoqërisë sonë. Biseduam së bashku se si mund t’i shtyejmë përpara disa prej projekteve siç është kampusi, programet të cilat mund të jenë të aplikueshme fillimisht për tregun rajonal dhe me gjerë”, ka thënë rektori Kosumi, duke shtuar se në Gjilan ka hasur një kulturë akademike.

“Në Gjilan dhe rrethinë, në zyrat e kryetarëve të Komunave, unë kam hasur një kulturë akademike, një mirëkuptim për prosperitetin dhe zhvillimin e universitetit. Besoj se kjo frymë akademike këtu është garancia më e madhe se Universitetit do të ecë përpara dhe ne do të nxjerrim njerëz prej të cilëve do të përfitojmë shumë”, ka theksuar rektori Bajram Kosumi./2L ONLINE/