Takimi i ardhshëm në Washington D.C., si dhe pritjet e shqiptarëve nga bisedimet serbo-shqiptare në Shtëpinë e Bardhë!

Takimi i ardhshëm në Washington D.C., si dhe pritjet e shqiptarëve nga bisedimet serbo-shqiptare në Shtëpinë e Bardhë!

Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, dhe politika e tij provokuese ndaj Kosovës, vazhdon të ndodhë sepse është i bindur se tani ai ka hapësirë të mjaftueshme politike për të implementuar disa plane të vjetra hegjemoniste të Akademisë serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

Shkruan: Hafiz GAGICA      –       2LONLINE.com 

Në njërën anë ai rrahë gjoksin për gatishmërinë e Beogradit për bisedime me Kosovën, i cili gjithnjë tenton ta zbres pazarin duke i quajtur ato bisedime mes “Prishtinës dhe Beogradit”, kurse në anën tjetër, nuk i ndalë provokimet ndaj shtetit të pavarur të Kosovës, siç ishte tendenca e tij për ta vizituar prapë Ujmanin, si njëra ndër pikat më neuralgjike e diplomacisë së tij në Twitter.

Siç dihet, Serbia në fund të shekullit të kaluar si shtet agresiv dhe me një politikë gjenocidale ndaj shqiptarëve, e humbi luftën ushtarake dhe diplomatike, ndërsa tani përmes skenarëve politik dhe retorikës nacionaliste, po bën çmos që ta kompensojë kohën e humbur për ta rikthyer pozicionin e dikurshëm të saj përmes ish ministrit për informata (propagandë) të Millosheviçit, që aktualisht është president i Serbisë.

Meqë ky ultra-nacionalist ka gjetur teren veprues në brishtësinë politike të qeverisë së Kosovës, duke i shfrytëzuar mirë përçarjet politike midis partive dhe udhëheqësve shtetëror dhe politik të Kosovës, ai po vazhdon ta manipuloj, në veçanti opinionin ndërkombëtar, dhe me një strategji diplomatike, po provon, jo edhe pa sukses, që ta rikthejë Serbinë në qendër të vëmendjes tek faktorët relevant ndërkombëtarë.

Pra, presidenti autokrat serb, A. V., në mënyrë mjeshtërore po e shfrytëzon, po ashtu me dinakëri, dobësinë udhëheqëse të klasës politike dhe të korruptuar në Kosovë, e cila për fat të keq, i ka sjellë shumë dëme shtet-ndërtimit të Kosovës në 10 vitet e kaluara, madje pa dhënë askush deri tash kurrfarë përgjegjësie morale dhe ligjore para popullit dhe organeve të drejtësisë për shumë dështime!

Fatkeqësisht, një pjesë e kësaj kaste politike në Prishtinë, shtetin e Kosovës e kanë bërë pjesë të grupeve aksionare dhe biznesore, thua se vendi ynë është pronë private e tyre; përveç deklaratave pompoze dhe zhargonit monoton, atyre nuk iu po iu bënë aspak përshtypje se çfarë po ngjet rreth, dhe me vet shtetin e Kosovës.

E pafalshme është edhe mosgadishmëria e tyre që të gjejnë gjuhë të përbashkët, të paktën kur bëhet fjalë për përfaqësimin e politikës së jashtme të vendit tonë në arenën ndërkombëtare, ashtu siç ishim unik dhe një zë para dhe pas luftës sonë çlirimtare.

Komoditeti politik i udhëheqësve kosovarë dhe loja me disa vendime të rëndësishme, e ka dëmtuar rënd imazhin e vendit tonë në botën e jashtme, siç po e shkatërron edhe interesin nacional si dhe afirmimin e pavarësisë së Kosovës në botë, si një vend i dalë nga lufta shkatërruese, por i përkrahur nga aleatët tanë perëndimorë në krye me SHBA-të. Së fundi mbetet një shtet i cili mjerisht është duke vend-numëruar në çdo aspekt zhvillimor!

Përçarja e skajshme e skenës politike në Kosovë, lufta për nënshtrimin e kundërshtarëve politik si dhe akuzat kundër njëri tjetrit, fatkeqësisht janë bërë pjesë e fjalorit degradues dhe denigrues tek disa politikanë dhe grupe interesi në skenën politike në Kosovë!

Pa dyshim e themi, se shumë kohë më përpara do duhej të kishim qëndrime ndryshe karshi fqinjit tonë verior, i cili po blenë kohë në dëm të interesave të Kosovës, dhe jo të pranonim kompromise të dhimbshme, të cilat tani po shihet se sa të dëmshme kanë qenë për shtetin tonë, ende të pa konsoliduar politikisht dhe ekonomikisht, ashtu siç e parasheh Kushtetuta jonë !

Vajtja në SHBA në çdo kohë dhe në çfarëdo rrethanave politike është e domosdoshme për Kosovën, pavarësisht se institucioneve tona aktuale iu mungon fuqia politike, ngase siç dihet, në rrethana të këtilla politikanët e denjë gjithmonë i kthehen qytetarit dhe votës së tij, për ta verifikuar secili subjekt legjitimitetin e vet udhëheqës politik dhe shtetëror, me synimin legjitim për të qenë faktor i fortë në arritjen e marrëveshjeve me karakter ndërkombëtar. Dhe, së paku në rrethana të pandemisë globale do duhej të kishte pak më shumë moral politik, humanizëm njerëzor, por edhe një koordinim dhe një platformë unike në bisedimet e ardhme me Serbinë, pa marrë parasysh se ku do mbahen ato.

“Mjaft është mjaftë”, pati thënë në vitin 2007 presidenti G. W. Bush në Tiranë, pra tani është koha e fundit për gjetjen e konsensusit politik midis partive tona politike, në veçanti në politikën e jashtme, përndryshe askush nuk do mund të justifikohet para popullit, po qëse vendi ynë pëson nga marrëveshjet e ardhshme me Serbinë!

Mendoj se takimi i ardhshëm në Washington D.C., do jetë një sprovë e madhe për politikanët tanë si dhe për shtetin e Kosovës, prandaj çdo lëshim dhe gabim i mundshëm para shkuarjes si dhe gjatë bisedimeve me palën serbe, nuk mund t’i falet askujt, nëse nuk dinë ta shfrytëzojnë maksimalisht mikpritjen dhe kujdesin e miqve tanë të dëshmuar amerikan karshi shtet-bërjes së Kosovës!

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE