Takimet e Vendlindjes “Malësia e Bujanocit 2026” do të mbahen më 26 korrik në Zarbicë
Lëvizja Qytetare “Vatra”, Dega në Gjilan ka njoftuar se më 26 korrik 2026 do të organizohen “Takimet e Vendlindjes – Malësia e Bujanocit 2026”, një aktivitet tradicional që prej vitit 2005 mbledh bashkë banorët e dëbuar dhe bashkëvendësit me prejardhje nga Malësia e Bujanocit.
Takimi do të mbahet në fshatin Zarbicë, ndërsa organizatorët u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që ta mbështesin këtë tubim me pjesëmarrjen e tyre.
Ndërsa, kryetari i Lëvizjes Qytetare “Vatra”, Kushtrim Kadriu, tha se këto takime kanë një rëndësi të veçantë për ruajtjen e lidhjeve me vendlindjen dhe forcimin e unitetit mes bashkëvendësve.
“Ftojmë të gjithë qytetarët e Malësisë së Bujanocit që të marrin pjesë sa më masivisht në këtë organizim tradicional. Këto takime janë një mundësi për t’u ribashkuar, për të kujtuar vendlindjen, për të njohur më mirë njëri-tjetrin dhe që brezat e rinj të krijojnë lidhje më të forta me rrënjët e tyre,” është shprehur Kadriu.
Sipas tij, organizimi i përvitshëm i Takimeve të Vendlindjes ka krijuar tashmë një traditë të rëndësishme, duke shërbyer si urë lidhëse mes brezave dhe si një mundësi për të kultivuar ndjenjën e përkatësisë ndaj vendlindjes.
Takimet e Vendlindjes “Malësia e Bujanocit 2026” organizohen nën patronatin e Lëvizjes Qytetare “Vatra”, Dega në Gjilan, ndërsa organizatorët mirëpresin pjesëmarrjen e të gjithë bashkëvendësve në këtë tubim tradicional. /2LONLINE/
