DYLON

Takim ndërkombëtar mbi legjislacionin anti-SLAPP dhe reformat gjyqësore për lirinë e medias

Takim ndërkombëtar mbi legjislacionin anti-SLAPP dhe reformat gjyqësore për lirinë e medias
Avatar photo Redaksia

Me organizimin e Këshillit të Evropës, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, së bashku me gjyqtarët Qerim Ademaj, Ermir Ahmetaj dhe Argzon Muçaj, ndodhen në Varshavë për një vizitë studimore dhe shkëmbim përvojash.

Qëllimi është diskutimi i zbatimit të standardeve evropiane për luftimin e padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) dhe adresimi i reformave gjyqësore për forcimin e lirisë së medias dhe të shprehjes.

EkoHigjiena

SLAPP-at paraqesin një sfidë për demokracinë dhe të drejtën për të shprehur lirshëm mendimin mbi çështjet publike. Në vitin 2024, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës miratuan, përkatësisht, një direktivë dhe një rekomandim për t’i kundërvënë këtyre praktikave të padrejta.

Në takim morën pjesë përfaqësues të ministrive të Drejtësisë, parlamenteve, gjykatave dhe këshillave gjyqësore nga Ukraina, Kosova dhe Mali i Zi, të cilët u njohën me përvojën polake në hartimin dhe zbatimin e ligjit anti-SLAPP. Diskutimet përqendroheshin tek procedurat e hedhjes poshtë të padive, barra e provës, kompensimi i dëmeve dhe njohja e statusit të viktimës.

Delegacionet vizituan Gjykatën e Lartë të Polonisë, Parlamentin, Zyrën e Avokatit të Popullit dhe redaksinë e “Gazeta Wyborcza”, ku diskutuan ndikimin e padive abuzive ndaj mediave dhe gazetarëve. Gjithashtu, delegacioni nga Kosova u prit nga Misioni i Kosovës në Varshavë, ku diskutuan për përparimet në sistemin gjyqësor të Kosovës dhe morën rekomandime nga ekspertët ligjorë dhe të drejtësisë për fusha të mundshme bashkëpunimi midis Kosovës dhe Polonisë.

Takimi u mbështet nga Divizioni për Bashkëpunim për Lirinë e Shprehjes i Këshillit të Evropës dhe konsulentët ndërkombëtarë. /2LONLINE/