(2LONLINE) – OSBE-së sot ka organizuar takim me përfaqësuesit e nivelit të lartë (kryetarë dhe nënkryetar) të Komunave të Anamoravës, ku i pranishëm ishte edhe Ambasadori i këtij misioni Jean – Claude Schlumberger, i cili është njoftuar me liderët e këtyre Komunave.
Me këtë rast, Ambasadori i OSBE-së, Jean – Claude Schlumberger, ka thënë se OSBE është partner afatgjatë në Kosovë dhe është përherë në shërbim të institucioneve, këshillimit, monitorimit, transparencës inkurajimit etj., në punën tuaj.
“Qëllim i takimit të sotëm është njoftimi me juve të cilët keni marrë detyra të reja pas zgjedhjeve të fundit lokale. Ne jemi partner tuaj afatgjatë. Jemi përherë pranë jush për t’u ndihmuar dhe për të bashkëpunuar për të mirën e të gjithë qytetarëve. Transparenca juaj është e rëndësishme në qeverisje. Komunikimi i rregullt me publikun është një hap që duhet të punohet edhe më shumë nga ju. Ne ju inkurajojmë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, angazhimin në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve etj. shumë e rëndësishme është të reagohet dhe dënohen incidentet ndëretnike. Një fat shumë i mirë për ju është që në Komunat tuaja nuk kemi incidente ndër-etnike. Një mjedis i sigurt është parakusht i zhvillimit të qëndrueshëm në Komunat tuaja dhe veçanërisht ndikon pozitivisht në kthimin e personave nga jashtë”, ka thënë ai ndër të tjerash.
Në këtë takim të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Komunës së Gjilanit, Kamenicës, Novobërdës, Parteshit, Ranillugut, Kllokotit.
Me këtë rast nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, ka thënë se për këtë periudhë të shkurtër kohore janë bërë punë shumë të mira dhe të mëdha në qeverisjen e kryetarit Haziri.
“Në qeverisjen e kryetarit Lutfi Haziri janë bërë punë shumë të mira dhe të mëdha në shërbim të qytetarëve të Gjilanit. Problemet e ditës së parë kanë qenë borxhet e mëdha të trashëguara nga qeverisja e kaluar. Incidente ndëretnike nuk ka në Gjilan dhe po punojmë vazhdimisht që ato as të mos mendohen më në Gjilan. Gjilani është një Komunë e sigurt për t’u jetuar dhe zhvilluar nga të gjithë barabarësisht. Publiku informohet me rregull me të gjitha aktivitetet që ka Komuna.
Janë bërë hapa konkret edhe në eliminimin e tollovive para sporteleve dhe tash kemi përgatitur projektin i cili së shpejti nis së zbatuari, për aplikimin përmes internetit për certifikata të ndryshme të Gjendjes Civile. Jemi në prag të nisjes së projektit tjetër të zgjedhjes së këshillave të fshatrave dhe kështu do të vazhdojmë me punë për të mirën e qytetarëve tanë”, tha ai ndër të tjerash.
Poashtu me fjalët e tyre janë paraqitur edhe kryetari i Novobërdës, Parteshit, nënkryetari i Kamenicës dhe përfaqësuesit e Kllokotit dhe Ranillugut.
Ndryshe ekspertët e OSBE-së kanë informuar të pranishmit me misionin që ka dhe me pikat më të rëndësishme të cilat duhet të merren gjatë të ardhmes në qeverisjen e tyre./2lonline/