Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri i është kundërpërgjigjur deklaratës së Albin Kurtit, i cili, e ka akuzuar Qeverinë për negociata të padrejta me Serbinë, për privatizime të paligjshme, për mungesë të zhvillimit ekonomik si dhe për rritje të korrupsionit dhe krimit.
Tahiri, e cila është kryenegociatore e dialogut teknik, ka thënë se Vetëvendosje! ka qasje nihiliste, duke dashur të zhvlerësoje çdo pritje të shtetit të Kosovës.
“Përderisa puna e Qeverisë është ta realizojë vizionin për një Kosovë të zhvilluar dhe euroatlantike, puna e opozitës është të kritikojë. Por, unë e kam thënë edhe në Kuvendin e Kosovës, se ky subjekt politik ka një qasje nihiliste, pra sikur do ta zhvlerësojë çdo pritje të shtetit të Kosovës. Mirëpo arritjet tona janë arritje të prekshme. Pra, konfirmimet për rezultatet e shtetndërtimit të Kosovës janë konfirmime edhe nga ana e opinionit të gjerë, por edhe nga ana e partnerëve siç është BE-ja, NATO dhe SHBA-ja”, ka thënë Tahiri për “Epokën e re”.
Zëvendëskryeministrja Tahiri u ka sugjeruar drejtuesve të Vetëvendosje!-s që, përveç kritikave, të japin edhe ide. Në këtë kontekst ajo ka thënë se me kritika nuk ndihmohet shteti.
“Porosia ime është që nga opozita presim jo vetëm kritika, por edhe ide konkrete në mënyrë që nëpërmjet atyre ideve të japin kontribut për shtetin e Kosovës. Nuk është mirë të mjaftohen vetëm më kritika, sepse me kritika nuk ndihmohet shteti. Kritikat janë të vlefshme, janë vlerë e demokracisë. Por, krahas kritikave, të gjithë kemi obligim, subjektet politike, grupet parlamentare, institucionet si dhe qytetarët të japin kontribut nëpërmjet ideve sa më vizionare në emër të qëllimit të përbashkët që shtetin tonë ta çojmë përpara”, është shprehur Tahiri.
Duke folur rreth deklaratës së Kurtit, se “Kosova është republikë e pakicës”, Tahiri ka thënë se Kosova është shtet i shumicës dhe se tautologjitë e Kurtit janë tautologji të thjeshta.
“Tautologjitë që i përmend z. Kurti janë tautologji të thjeshta. Kosova është një shtet me shumicë shqiptare dhe nuk është vetëm sot me shumicë shqiptare. Por, shqiptarët këndej kufirit përballë politikave gjenocidale të Serbisë për 100 vjet kanë arritur ta ruajnë substancën kombëtare dhe të mbesin shumicë në trojet etnike shqiptare”, ka deklaruar Tahiri, duke u shprehur e kënaqur me integrimin e pakicave në vendin tonë.
“Mirëpo, ne jemi një shtet demokratik dhe në Kushtetutën e shtetit të ri të Kosovës pakicat kanë vendin e tyre, janë pjesë e shtetit tonë dhe me Kushtetutë u kemi garantuar të drejta dhe mirëqenie dhe jemi të kënaqur me integrimin e suksesshëm të të gjitha pakicave në institucionet e shtetit të Kosovës. Dhe në këtë proces të dialogut në Bruksel ne po i integrojmë tashmë edhe serbët e pjesës veriore të vendit, të cilët, për shkak të ndikimeve negative të Serbisë, në të kaluarën kanë jetuar me një iluzion dhe tani po dalin nga ky iluzion dhe po bëhen pjesë e shtetit dhe realitetit të Kosovës”, ka thënë zëvendëskryeministrja Tahiri.