Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore e dialogut teknik, ka thënë se procesi i dialogut me Serbinë do të vazhdojë derisa të ndodhë zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve.
Në një intervistë për “Epokën e re”, ajo ka shprehur optimizëm se procesi i dialogut do të përfundojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. “Përfundimi i këtij dialogu, sipas mendimit tim, do të rezultojë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë”, është shprehur Tahiri.
Ajo ka thënë se procesi i zbatimit të marrëveshjeve të dialogut teknik është duke ecur mirë, ndërsa sa i përket zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit ka edhe shumë punë për t’u bërë, pavarësisht përparimit.
“Në veçanti në fushën e sigurisë ende ka mbetur e patrajtuar, për shkak të Serbisë, çështja e zhbërjes së ashtuquajturës mbrojtje civile, e cila edhe në këto zgjedhje është shfaqur me pengesa”, ka theksuar Tahiri.
Zëvendëskryeministrja Tahiri ka vlerësuar se mbajtja e zgjedhjeve të 3 nëntorit i ka ndihmuar procesit të zbatimit të marrëveshjes.
“Zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës, edhe institucionet vendore, por edhe faktori ndërkombëtar i kanë vlerësuar pozitivisht. Kosova ka dhënë testin e demokracisë dhe ka treguar se është shtet demokratik dhe ka aftësi të mbajë zgjedhje të rregullta, të ndershme dhe demokratike. Prandaj, mbajtja e zgjedhjeve në këto komuna tregon se palët kanë zbatuar atë pjesë të marrëveshjes që kishte të bënte me zgjedhjet lokale”, ka deklaruar Tahiri.
Ajo ka bërë me dije se më 25 nëntor do të fillojë një aspekt i rëndësishëm i bashkëpunimit në mes të dy shteteve në fushën e IBM-it, e që është këmbimi në mënyrë elektronike i informacioneve lidhur me mallrat dhe kompanitë tregtare.
“Fjala është për këmbimin e informacionit duke përdorur teknologjinë informative, e kjo ndihmon të kontrollohet tregtia e lirë në mes të dy shteteve, në mënyrë që të evitohen kontrabandat e ndryshme dhe dukuritë e tjera negative që kanë zakonisht tendencë të shfaqen në marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy shteteve”, ka thënë Tahiri.