Ministrja për Dialog dhe njëherësh Kryetare e Bordit për peticionin ka deklaruar se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon injoron drejtësinë për gratë e Kosovës të dhunuara nga forcat serbe gjatë periudhës luftës 1998-1999. Ministrja Tahiri ka bërë me dije se letra e dërguar te Ban Ki-moon në shtator të vitit 2015 në të cilin kërkohej takim me të me qëllim të diskutimit të çështjes së dhunimit të grave gjatë luftës në Kosovë dhe për dorëzimin e peticionit të qytetarëve të Kosovës për të kërkuar drejtësi ndërkombëtare për këtë çështje ka hasur në një mospërfillje të padrejtë nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon. Tani shtatë muaj nuk kemi marrë përgjigje nga ana e tij theksoi Tahiri.
Ajo më tej shtoi se në vitin 2014 ishte takuar në New York me përfaqësuesen speciale të OKB për çështjen e dhunimit të grave gjatë konflikteve znj. Zainab Hawa Bangura me të cilën kishte biseduar këto çështje, ndërsa menjëherë pas përfundimit të nënshkrimit të peticionit nga qytetarët e Kosovës i kishte shkruar asaj një letër me kërkesë për takim me Sekretarin e Përgjithshëm Ban Ki-moon për dorëzim të peticionit. Mirëpo, znj. Bangura në përgjigjen e saj të vonuar kishte propozuar që peticioni t’i dorëzohet UNMIK-ut. Duke qenë se UNMIK nuk është kompetent për këtë çështje dhe duke marrë parasysh se peticioni i është adresuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Ban Ki-moon, ne iu drejtuam me letër atij dhe deri në këto momente nuk kemi marrë përgjigje.
Dëshiroj të theksoj se OKB dhe vet z. Ban Ki- moon vazhdimisht theksojnë nevojën urgjente për drejtësi ndaj grave të dhunuara gjatë luftërave dhe janë miratuar një varg rezolutash për këtë çështje, mirëpo ky përkushtim nuk po zbatohet praktikisht.
Ministrja Tahiri ka potencuar se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Moon raporton katër herë në vit mbi gjendjen në Kosovë pranë Këshillit të Sigurimit dhe përderisa në këto raporte adresohen gati të gjitha çështjet e rëndësishme të paqendërtimit në Kosovë, ai vazhdimisht ka injoruar çështjen e drejtësisë për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, rasti i fundit ishte dje kur në New York u mbajt seanca e radhës e KS të OKB mbi situatën në Kosovë.
Tahiri paralajmëroi intensifikimin e hapave për të sensibilizuar bashkësinë ndërkombëtare në lidhje me padrejtësinë që OKB po e bënë ndaj të mbijetuarave të dhunimit gjatë luftës në Kosovë duke injoruar drejtësinë për to dhe duke lënë kriminelët nga radhët e forcave serbe të pandëshkuar.