/2L ONLINE/ – Mos shpallja e vendeve të lira të punës, nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), nuk është gjë tjetër veçse tendencë për të mbuluar keqpërdorimet e deritashme, përkatësisht rehatimin e punëtorëve që janë duke punuar pa konkurs, që kryesisht janë me baza partiake dhe nepotizëm.
Kështu është shprehur Fehmi Sylejmani, nga Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, për të shtuar se çdo mos shpallje e vendeve të lira të punës është shkelje e rënde ligjore.
“Gjithashtu edhe emërimi i drejtorëve nga një shkollë ne tjetrën, duke mos e shpallur konkursin është e jashtëligjshme, sikurse edhe delegimi i pedagogut pa konkurs në emër të sistemimit, është krejtësisht i paligjshëm. Edhe më tej në Drejtorinë e Arsimit, punojnë zyrtarë pa konkurs dhe jo profesional dhe askush nuk ndërmerr masa ndëshkuese ndaj këtij rasti”, ka thënë Portalin Sylejmani për 2L ONLINE.
Përndryshe, Sylejmani që është edhe anëtar i Kuvendit Komunal dhe i Komiteti të Arsimit, ka ka reaguar edhe në lidhje me zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve sipas ligjit për shërbyes civil, që e konsideron se në radhë të parë është politik, diskriminues dhe jo cilësor dhe konflikt në mes dy ministrive, asaj të Administratës dhe Ministrisë së Arsimit.
“Jemi shumë të vetëdijshëm se kjo procedurë e zgjedhjes së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve nuk është kompetencë e komunës, por kërkojmë me ngulm, duke inkorporuar të gjitha mekanizmat e mundshme relevant, që kjo procedurë e zgjedhjes së stafit udhëheqës të shkollave të behët si më parë, meqë zgjedhja e drejtorit, udhëheqës i karrierës dëshmon se këtë herë drejtori zgjidhet deri në pension(i përjetshëm), gjë që as në sistemin monist kjo nuk ka ndodh”, thotë Sylejmani.
Gjithashtu, ai thotë se kjo mënyrë e zgjedhjes shkon direkt në favor të partisë në pushtet, për faktin se në çdo shkollë vendosen individë që i takojnë subjektit aktual, e që më pas do të reflektojë negativisht në mbarëvajtjen e procesit mësimor.
“Asnjë drejtor i karrierës nuk do të jetë gjithmonë në elementin e duhur të detyrës, sepse me kalimin e kohës do të konsumohet, do t’ju mungojë angazhimi, serioziteti dhe përkushtimi për vendin e punës, si kundër se do te jenë tepër jo motivues, inertë, jo kreativ dhe me sjellje autoritare. Absurd edhe më i madh është se shpallja behët me këtë ligj ndërsa procedurat bëhen sipas udhëzimit administrativ”, ka thënë Sylejmani i Vetëvendosjes. /2L ONLINE/