/2L ONLINE/ – Paradoksale e jashtëligjore. “Skaneri partiak” i pushtetit në Gjilan jo vetëm në mënyrë paradoksale, por edhe jashtëligjore skanon listën e Komisionit të Drejtorisë Komunale të Arsimit(DKA-së), të cilët kanë intervistuar mbase mbi 600 kandidatë të cilët kanë konkurruar në konkursin e shpallur të DKA për disa vende të lira të punës, me kohë të caktuar dhe pacaktuar dhe në fund ky komision duke u bazuar në kriteret e konkursit ka përzgjedhë kandidatët, që sipas tyre i kanë plotësuar kushtet për pranim.
Kështu është shprehur në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, Fehmi Sylejmani, anëtar i Kuvendit Komunal dhe njëherësh anëtar i Komitetit të Arsimit, ku sipas tij ky veprim i këtij pushtetit është i paparë, i pakuptimtë, i pashpjegueshëm, i paarsyeshëm, politik dhe i jashtëligjshëm për shumë arsye dhe nuk është dashur që në asnjë mënyrë të lejohet kjo mënyrë e ndërhyrjes në punët brendshme të DKA-së.
“Ligjërisht Drejtoria Komunale e Arsimit është në cilësinë e punëdhënësit dhe çdo ndërhyrje nga çfarëdo mekanizmi tjetër institucional konsiderohet e paligjshme. Më këtë veprim vetëm sa po dëshmohet se ky pushtet fare nuk qanë kokën për qytetarët e saj, por si të gjej mundësi dhe hapësirë veprimi për të rehatuar militantët partiak dhe familjarët e tyre. Çdo ndryshim që mund të bëhet nga “skaneri partiak ” në listën e Komisionit të pranuar të mësimdhënësve, do të jetë i paligjshëm dhe i pa bazuar në fakte”, ka thënë Sylejmani që njëherësh është edhe anëtar i nënkomitetit të Arsimit në Lëvizjen vetëvendosje.
Ai tha Vetëvendosje kërkon në radhë të parë nga kryetari i komunës, që këtë listë mos ta mbajë të bllokuar, por sa më parë ta publikojë, në të kundërtën, përgjegjësia më e madhe do të jetë e tij, derisa Vetëvendosje si subjekt opozitar dhe korrigjuesi më i mirë dhe i përhershëm i arsimit në Gjilan, do t’i shfrytëzojë të gjitha mekanizmat e mundshëm ligjor që veprimet e tilla të ndalohen rreptësisht.
“Po ashtu inkurajojmë të gjithë ata kandidatë, të cilët mund të jenë “viktima” të “skaneri partiak ”, që më pas të ndjekin të gjitha rrugët ligjore, por edhe rrugë tjera për të kërkuar të drejtën e tyre elementare për punësim. Kjo formë e tillë e këtij “Skaneri partiak ” fyen rëndë në radhë të parë vetë institucionin më të lartë arsimor, e më së shumti stafin e saj udhëheqës, përkatësisht vetë drejtorin si kundër edhe e vë në pikëpyetje edhe punën e Komisionit Intervistues, të cilin komision e ka emëruar vetë drejtoria komunale arsimit,dikaster që i jep llogari kryetarit të komunës”, ka thënë tutje Sylejmani.
Ai tha se në rast se kjo ndodh, atëherë drejtori komunal i arsimit, i pafuqishëm përballë presionit partiak, si akt moral e profesional duhet patjetër të tërhiqet nga posti i drejtorit, përndryshe do të jetë pjesë e kësaj të keqeje, që në mënyrë drastike po e degradon arsimin në komunën e Gjilanit.
Ndryshe, konkursi është shpallur nga Drejtoria e Arsimit nё Gjilan, dhe në bazë të Ligjit për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës neni 5 pika c, Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës neni 35, Ligjit të Punës së Republikës së Kosovës neni 8. /2L ONLINE/