Sylejmani: Pranimi i kuadrit të ri mësimor politik e nepotist

Sylejmani: Pranimi i kuadrit të ri mësimor politik e nepotist

“Shpallja e vonshme e konkursit, sërish fshehja e disa vendeve të lira të punës, anulimi konkursit për drejtor dhe zëvendës drejtor për disa shkolla përkatëse pa kurrfarë njoftimi publik dhe zyrtar, emërimi i komisionit për rekrutimin e kuadrit të ri mësimor politik – partiak, publikimi i listës së të pranuarve në orët e vona të së premtes, padrejtësitë e mëdha në pranimin e kuadrit të ri mësimor, që nuk mbahen mend ndonjëherë se ka pasur kaq shumë padrejtësi, sikurse këtë herë, dëshmon qartë se në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan diçka nuk është në rregull, madje duke shkelur ligjin në mënyrë drastike, pa kurrfarë përgjegjësie dhe pa kurrfarë turpi. Në bazë të këtyre fakteve shtrohen shumë çështje dhe dilema, që kërkojnë përgjigje të saktë e reale, se vërtetë kush e drejton këtë drejtori, personat që janë përgjegjës apo dikush krejt tjetër?!“

Kështu shprehet Fehmi Sylejmani, anëtar i Kuvendit komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe anëtar i Komitetit të Arsimit, sipas të cilit rezultatet e fundit të pranimit të kuadrit të ri mësimor kanë shpërfaq fytyrën reale të këtij pushtetit, ngase të gjithë të pranuarit janë mbi baza politike dhe nepotiste, përjashtuar vetëm një(edukatore).

“Kryekëput janë të partisë në pushtet, thënë edhe më qartë të Forumit të Gruas së LDK në Gjilan. Dhe ky vendim i këtij publikimi të pranuarve, aspak nuk ka qenë i papritur meqë, në komisionin rekrutues të kuadrit të ri arsimor ka qenë zëvendëskryetarja e këtij forumi, që ka qenë shkelje flagrante e dispozitave ligjore. Për hir të korrektësisë dhe objektivitetit, ua bëjmë me dije opinionit të gjerë se ky komision ka nënvlerësuar kandidatë me përgatitje master (300 -360 kredi) dhe me nota tejet të larta, duke pranuar kandidatët e tyre të porositur me përgatitje bachelor (180-240 kredi), e me notë mesatare shumë më të vogla se ata që s’janë pranuar. Faktet reale ekzistojnë dhe tashmë janë të ditura”, ka thënë Sylejmani iVetëvendosjes.

Ai ka shtuar se Vetëvendosje, kërkon nga kandidatët të cilët mendojnë se ju është bërë e padrejtë dhe kanë dëshmi, ato fakte t’i deponojnë në organet gjegjëse relevante, duke kërkuar me ngulm të drejtën e tyre. Në anën tjetër, Vetëvendosjes kërkon përgjegjësi morale, profesionale dhe politike nga drejtuesit më të lartë të këtij dikasteri, ndërsa nga kryetari i komunës kërkon që automatikisht të ndërmerr hapa konkret në këtë drejtim. Në të kundërtën nga përgjegjësia nuk do të amnistohet as kryetari, sepse në këtë pranim të mësimdhënësve ka pasur padrejtësi masive dhe shkelje të dispozitave ligjore.

“Me këtë logjikë të udhëheqjes, arsimi në Gjilan gjithnjë e më shumë po rrëshqet drejt degradimit, do të jemi edhe më poshtë të ranguar në testin e PISA, gjë që nuk është korrekte dhe e arsyeshme në raport me nxënësit, që në përgjithësi janë të mrekullueshëm, prindërve dhe mësimdhënësve të ndershëm e të vyeshëm, të cilët nuk kursejnë asgjë nga vetja e tyre, vetëm që cilësia në arsim të ngritët”, ka thënë Fehmi Sylejmani, anëtar i Kuvendit Komunal dhe anëtar i Komitetit të Arsimit në Gjilan, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

KOMENTE