/2L ONLINE/ – Sipas asamblistit të Vetëvnedosjes-s në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Fehmi Sylejmanit, shkalla e lartë e papunësisë, është njëri ndër faktorët kryesor që po i brengosë pjesën dërmuese të qytetarëve të komunës së Gjilanit, mbase edhe një pjesë të tyre i ka detyruar që të ikin edhe nga shtetit i tyre, përkundër dëshirës së tyre. Në komunën e Gjilanit shkalla e papunësisë konsiderohet një nga problemet më të mëdha, ndërkohë që fare pak kemi politika apo projekte të qeverisjes aktuale që këtë dukuri që ta zbutin, ndonëse është e pamundur që ta eliminojnë në tërësi. Mbi 1.110 familje në Gjilan jetojnë nga asistenca sociale, kurse mbi 120 raste kanë probleme banimi.
“Në vazhdimësi para çdo fushate kemi pas premtime të çuditshme të partive politike për të ndikuar në zvogëlimin e papunësisë, përkatësisht premtimet gjithmonë kanë qenë se do të hapen kaq e aq vende të lira të punës, mirëpo kjo deri më tash nuk ka ndodh në Gjilan. Çdo ditë e më tepër që po kalon me këtë qeverisje, shpresat e qytetarëve për t’u punësuar gjithnjë e më shumë po shuhen”, tha Sylejmani, në konferencën e sotme për media, duke shtuar se papunësia nuk ulet pa projekte serioze, pa zhvillim ekonomik, pa hapje të fabrikave, pa mbështetje të vazhdueshme bujqve dhe prodhuesve vendorë.
“Ndërkohë që jemi dëshmitarë të së vërtetës, fatkeqësisht e mjerisht, që me mijëra punëtorë në komunën e Gjilanit kanë humbur vendet e tyre të punës për shkak të privatizimit të ndërmarrjeve. Derisa Lëvizja VETËVENDOSJE! tërë kohën ka theksuar se privatizimi ka qenë i dëmshëm për vendin dhe kjo tashmë është pranuar edhe nga ekspertët e ekonomisë në Kosovë, të cilët e kanë vlerësuar të dështuar privatizimin”, u shpreh Sylejmani.
Ai theksoi se Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Gjilanit ka kërkuar që në një nga seancat e ardhës të diskutohet si pikë e veçantë e rendit të ditës edhe çështja e papunësisë, mirëpo si zakonisht nga kjo qeverisje, propozimet e Vetëvnedosjes nuk përfillen fare. /2L ONLINE/