Sylejmani: Kryetar, kamerat vendosi në Prokurim, Urbanizëm dhe Drejtori të Arsimit

Sylejmani: Kryetar, kamerat vendosi në Prokurim, Urbanizëm dhe Drejtori të Arsimit

“S’do mend se çdo projekt është i mirëseardhur, e më i vlefshmi dhe më i rëndësishmi është ai, i cili ka të bëj direkt me çështjet e qytetarëve, andaj edhe lajmi se së shpejti në qytetin e Gjilanit, do të vendosen 100 kamera të sigurisë, investim ky nga ICITAP-Ambasada Amerikane, në vlerë prej 88 mijë dollarësh është hap i mirë, i drejtë, i qëlluar, por edhe i nevojshëm” ka thënë Fehmi Sylejmani, anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm në Prishtinë.

Por, sipas tij, paraprakisht do të ishte më mirë dhe shumë më e dobishme, sikur që kryetari aktual i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, të vendos kamera në dikasterin e Prokurimit, të Urbanizmit dhe të Arsimit, për faktin se tashmë botërisht dihet se mbi këto dikastere rëndon më së shumti faji dhe e keqja më e madhe e këtij pushteti aktual, për shumë parregullsi, defekte, mangësi dhe keqpërdorime të ndryshme, e që këto të meta, padrejtësisht po i paguajnë qytetarët e pafajshëm të komunës së Gjilanit.

“Gjatë katër viteve të udhëheqjes së mëparshme të kësaj qeverisje, në thumb të kritikës, me shkelje drastike të dispozitave ligjore, ka qenë Zyra e Prokurimit, e cila në Gjilan dhe më gjerë, njihet dhe është cilësuar si se një nga dikasteret apo kuzhinat e këtij pushteti ku janë gatuar dhe gatuhen keqpërdorimet më të mëdha, të formave të ndryshme. Pikërisht për shkak të mospërfilljes së dispozitave ligjore të prokurimit dhe shkeljeve të njëpasnjëshme të kritereve të ligjit, kjo zyre dhe stafi menaxhues i saj janë ndëshkuar edhe nga OSHP –ja. Shih për ketë, gjithsesi se këtu duhet instaluar një kamerë, e cila detekton dhe përcjellë punën dhe funksionalizmin e kësaj zyre dhe stafit të saj”, ka thënë Sylejmani.

Ngjashëm, sipas tij, me zyrën e prokurimet, edhe drejtoria për urbanizëm në Gjilan, ka nevojë për një kamerë të tillë, sepse edhe kjo drejtori është shquar për shumë parregullsi, duke lëshuar leje ndërtimi pa i përfillë kriteret bazë të ndërtimit, sikundër që ka procedura burokratike për marrjen e lejes, teksa inspektorët e ndërtimit aspak nuk janë marrë për verifikimin e këtyre lejeve, e veçmas të ndërtimeve të larta. “Nuk ka asnjë dyshim se edhe në këtë drejtoria ka pas keqpërdorime dhe manipulime të ndryshme dhe nuk përjashtohet mundësia që me këtë formë të menaxhimit edhe në të ardhmen do të ketë sërish keqpërdorime nga më të ndryshmet”, ka thënë tutje Sylejmani.

Sipas tij, kamera e tretë që patjetër duhet ta vendosur është në drejtorinë e arsimit, ku pas shkuarjes se drejtorit Nazmi Musa, në këtë dikaster as një ditë e mirë, e mbarë dhe e hairit nuk ka ekzistuar Sylejmani ka përmendur shkelje të dispozitave ligjore nga më të ndryshmet, dhe të njëpasnjëshme, fshehje të vendeve të punës, punësime pa konkurs, anulime konkursi, përsëritje, ripërsëritje të konkurseve, komisione intervsituese mbi baza partiake, përzgjedhja e kandidatëve po ashtu mbi baza partiake dhe nepotiste, emërime drejtorësh partiak e militantë, dënime gjyqësore, rënie të cilësisë, kurrfarë investime në kabinete dhe laboratorë, hapje të paraleleve në mënyrë të kundërligjshme në shkolla të mesme, regjistrimi i nxënësve të mbetur pa kritere në shkolla të mesme, pa ide dhe vizion për një arsim krejt më ndryshe dhe shumë më kualitativ e shumë e shumë defekte tjera.

“Kritikat do te duhej te shkonin në dobi të përmirësimeve të defekteve në fushën e arsimit që është interesi i qytetareve tanë, fëmijëve tanë e gjeneratave për një arsim cilësor, për një rend, rregull e disiplinë të dëshiruar”, thotë Sylejmani i Vetëvendosjes.

Sipas tij, pa kurrfarë ngarkese dhe xhelozie, përkundrazi me qetësi dhe dashamirësi, kryetari Haziri, do të ishte mirë që t’i merr parasysh këto vërejtje aktuale dhe të ndërmerr hapa konkret në këtë drejtim.

“Në të kundërtën vetëm sa do të pështjellohet edhe më tej në lëmshin e pazgjidhur të problemeve të shumta, si kundër që do të zhytet edhe më thellë në kazanin e keqpërdorimeve, parregullsive, manipulimeve, favorizimeve… Në këtë kontekst, ai do të jetë përgjegjësi kryesor, sepse të gjitha drejtoritë dhe punët e tyre bien në domenin e udhëheqjes së tij”, thotë në fund, Fehmi Sylejmani, anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të kësaj Lëvizjeje në Prishtinë.
.

KOMENTE