DYLON

Sylejmani kritik për punën e Komiteti të Arsimit dhe raportin e drejtorit të DKA-së

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Sot është mbajtur Takimi i Komitetit të Arsimit, e ku pikë e rendit të punës ishte raporti i punës gjashtë mujore i Drejtorisë së Arsimit në Gjilan. Por, Fehmi Sylejmanin anëtar i këtij Komiteti nga Lëvizja Vetëvendosje, pati shumë vërejtje, prej mos thirrjes me kohë dhe vonesës së materialit deri tek fakti se rendi i ditës ishte vetëm me një pikë, mospërfillja e shumë çështjeve me rëndësi që nuk po bëhen pjesë e planit të punës së këtij Komiteti, e deri te fakti që ky takim u mbajt vetëm një ditë para se të mbahet seanca e Kuvendit Komunal dhe rrjedhimisht nuk do të prodhojë efekt.

Sipas Sylejmanit, rend i punës së këtij takimi të Komiteti të Arsimit ishte vetëm për një pikë, që në ndonjë rrethanë të jashtëzakonshme apo për ndonjë çështje madhore do të ishte krejt e arsyeshme dhe e pranueshme, mirëpo në rrethanat aktuale, ka qenë tepër e domosdoshme të futen edhe pika tjera të rendit të punës, duke marrë për bazë se sfera e arsimit gjithmonë ka çështje të rëndësishme për të cilat duhet të diskutohen.

EkoHigjiena

Ai tha se pikërisht në këtë drejtim ka ngrit shumë çështje në Komitetin e arsimit, që janë paraparë te jenë në planin e punës për të diskutuar, por ja që nuk po përfillen.

“Kjo mbledhje e thirrur vetëm një ditë para kuvendit nuk ka impakt në punën e kuvendit, si kundër që asnjë rekomandim i mundshëm në raportin e kryetarit nuk do të mund të ndryshoje gjendjen e atij raporti. E kemi potencuar edhe shumë herë të tjera, që mbledhjet e komitetit të arsimit, të mbahen më së largu deri më datën 15 të çdo muaji, e jo pas kësaj date, sepse në këtë formë do të jetë pa efekt. Esenca e punës së Komitetit të Arsimit duhet të jetë, që rekomandimet e dala, sa më shumë që është e mundur, të futen në rendin e punës së Kuvendit komunal, sepse vetëm atëherë ato do të jenë të plotfuqishme” ka thënë Sylejmani për Portalin 2L ONLINE.

Duke elaboruar këtë raport, ai ka thënë se raporti i punës së Drejtorisë së Arsimit në Gjilan për periudhën gjashtë mujore kryekëput është raport përshkrues, i pa specifikuar në detaje, me shumë mungesa të një raporti përmbajtjesor, paksa lavdërues, e kuptueshme për faktin se është hartuar nga vetë udhëheqësit e DKA, si kundër që në këtë raport askund nuk përmenden defektet, lëshimet, vështirësitë apo dështimet dhe shkeljet e mundshme ligjore.

Gjithashtu, Sylejmani tha se në këtë raport mungon edhe raporti financiar i kësaj drejtorie për këta 6 muaj. Gjithashtu në këtë raport nuk figuron se a janë arrit objektivat dhe qëllimet e parapara si kundër që mungojnë statistikat, përqindjet, fotografitë dhe tabelat e nevojshme.

“Kjo formë e raportit të punës qoftë periodike, qoftë vjetore(finale) nuk është në nivelin e dëshiruar, sepse asnjë punë nuk përcillet pa vështirësi, defekte, pengesa dhe sfida të ndryshme. Prandaj për këtë raport ne konsiderojmë se është i jo i mirë e me shumë mangësi, të cilat i përshkruam më lartë dhe rrjedhimisht del se është jo real”, ka thënë Sylejmani.

Sipas tij, në fund të çdo gjysmëvjetori mësimor bëhet një vlerësim i përgjithshëm për ecurinë dhe përformancën në procesin mësimor dhe analizohet suksesi i nxënësve për rezultatet e arritura, duke krahasuar rezultatet e suksesit me rezultatet e periudhës së njëjtë të vitit paraprak.

Në këtë drejtim Drejtoria Komunale e Arsimit ende nuk ka dalë me shifra, fakte dhe të dhëna zyrtare për punën e vazhdueshme që duhet të bëhet, me qëllim që cilësia e arsimit në shkollat tona të shënojë progres dhe të arrijë në nivelin e shkollave të përparuara, si: në mësimdhënie, në nxënie dhe të një vlerësim sa më objektiv i arritshmërisë së nxënësve.

Pavarësisht kësaj në Vetëvendosje konsiderojnë se gjatë këtij viti shkollor arsimin gjilanas e kanë përshkruar disa lëshime, parregullsi, shkelje ligjore dhe dobësi, duke mos përjashtuar edhe ndonjë element pozitiv.

“Nga ajo që është prezantuar në medie kemi se rezultate e testit të arritshmërisë për klasën e 9- të kanë qenë mjaftë të mira, por që janë kontestuar nga shumë mësimdhënës dhe njohës të arsimit se këto rezultate kanë qenë artificiale dhe të fryra, gjë që nuk na jep komoditetin të ndihemi krenar me të arriturat e tilla, ndërkohë që testi i maturës këtë herë në Gjilan nuk ka qenë në nivelin e dëshiruar, ku rreth 60 % testin e maturës e kanë kaluar dhe atë pjesa dërmuese maturantëve gjimnazist”, ka potencuar Sylejmani. /2L ONLINE/